Gjykata Kushtetuese i cenoi liritë dhe të drejtat kushtetuese të palëve

Prishtinë | 07 Mar 2020 | 13:44 | Nga Ekonomia Online

Është faktuar se Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka cenuar liritë dhe të drejtat kushtetuese të palëve që kanë parashtruar kërkesë për mbrojtjen e kushtetutshmërisë në këtë institucion. Enver Hasani, profesor dhe ish-udhëheqës i Gjykatës Kushtuese, i ka argumentuar këto shkelje. Në një punim shkencor me 40 faqe, ai i ka përmbledhur faktet shkencore, praktikat evropiane dhe i ka analizuar rastet në Kosovë. Këto shkelje s’mund t’i riparojë askush, sepse Kosova s’është pjesë e juridiksionit të Gjykatës së Strasburgut.

Sabri Ferati ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 6 vjet burgim pse e kishte shkaktuar një aksident. Dënimi i ishte ulur në pesë vjet. Ishte ankuar në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë. I ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ta mbrojtur kushtetutshmërinë. Kishte kërkuar të respektohen dispozitat e Kushtetutës për barazi para ligjit, për të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe për mbrojtje gjyqësore.

Por, Gjykata Kushtetuese e kishte konsideruar kërkesën si të papranueshme duke mos e argumentuar vendimin.

Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një punim shkencor prej 40 faqeve ka argumentuar se Kushtuesja ua ka shkelur të drejtat qytetarëve të Kosovës që kanë qenë nëpër procedura gjyqësore. Ka konstatuar se Gjykata Kushtuese pa asnjë bazë i ka hedhur poshtë ankesat si të papranueshme për t’iu nënshtruar kontrollit kushtetues.

Profesori i Fakultetit Juridik ka gjetur se në rastin e Sabri Feratit, Gjykata Kushtuese s’i ka përfillur disa nene të Kushtetutës, kur e ka shpallur të papranueshme kërkesën e Feratit për mbrojtje të kushtetutshmërisë.

“Gjykata në këtë rast ia ka mohuar palës të drejtën për mjet juridik nga neni 32 i Kushtetutës, që e nënkupton ankesën kushtetuese nga nenit 113.7 i Kushtetutës, për shkak se parashtruesi i ankesës kushtetuese nuk ka marrë përgjigje lidhur me cilësinë kushtetuese (kushtetutshmërinë) të vendimit që ka qenë objekt kontrolli kushtetues”, shkruhet në faqen 10 të punimit.

Rrahim Hoxhës, më 17 dhjetor 2016, Gjykata Kushtetuese ia kishte shpallur të papranueshme kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë se dy aktvendimeve të gjykatave të rregullta për një borxh që ia kishte pasur TMK’ja.

Hoxha kishte dështuar të realizonte një kërkesë për nxjerrjen e borxhit nga TMK’ja në të gjitha instancat. E kishte kërkuar përsëritjen e procedurës përmbarimore, kërkesë që i është refuzuar në Gjykatën e Apelit. Kjo instancë gjyqësore ka konstatuar se, ligjërisht, nuk lejohet përsëritja e procedurave përmbarimore në kontestet civile.


Ish-Shefi i Gjykatës Kushtetuese i ka listuar shkeljet që kanë ndodhur në rastin e Rrahim Hoxhës.

“Me mohimin e kontrollit kushtetues të vendimit të fundit me të cilin pala ka pohuar shkelje kushtetuese dhe që ka qenë objekt i kontrollit kushtetues, Gjykata Kushtetuese ka bërë vetë shkelje të nenit 32 të Kushtetutës, me kuptim mjetin juridik nga neni 113.7 i Kushtetutës, përkatësisht cenimin e të drejtës për ankesë kushtetuese objekti së cilës ka ngelur pa përgjigje lidhur me legjitimitetin e tij kushtetues. E thënë ndryshe, duke u marrë me kërkesën origjinale për përsëritje të procedurës, Gjykata Kushtetuese ka mohuar të drejtën e palës për mjet juridik, me kuptim ankesën kushtetuese, sepse parashtruesi ka ngelur pa përgjigje lidhur me cilësinë kushtetuese (kushtetutshmërinë) të vendimit objekt kontrolli kushtetues në këtë rast”, shkruan në faqen 12 të punimit.

Enver Hasani ka konstatuar se i gjithë cenimi i lirive dhe të drejtave kushtetuese do të ndodhë derisa Kosova nuk bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, ku pastaj Kosova do të hynte nën juridiksionin e Gjykatës së Strasburgut.

“Këto defekte serioze të gjetura në katër vendimet, të cilat vetidenfitifikohen nga Gjykata Kushtetuese si rastet e përsëritjes së procedurës, nuk janë veçse një pjesë e vendimmarrjes së saj ku qytetari  ndeshet me cenim përfundimtar të pakthyeshëm të lirive dhe të drejtave kushtetuese, aty ku nuk e pret dhe në vendin që supozohet se në shkallë të parë dhe të fundit mbron supremacinë (epërsinë) e Kushtetutës”, ka shkruar Hasani në përfundim të punimit.

Të ngjashme