Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur antikushtetues nenin 11, paragrafi 1 i Statutit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (QRK nr. 01/2023), duke vlerësuar se kufizon të drejtën për kujdes shëndetësor, pasi nuk përfshin shërbimet e kujdesit mendor në spitalet e përgjithshme.
Sipas aktgjykimit të publikuar, Gjykata ka pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit, i cili argumentoi se përjashtimi i kujdesit mendor bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Gjykata urdhëroi Qeverinë të ndërmarrë veprimet e nevojshme për ndryshimin e kësaj dispozite, ndërsa deri atëherë, spitalet e përgjithshme do të ofrojnë shërbimet e kujdesit mendor sipas Ligjit për Shëndetin Mendor.
Kërkesa u mbështet nga përfaqësues të shëndetësisë dhe Kuvendit, ndërsa u kundërshtua nga Kryeministri. Gjykata theksoi se e drejta për kujdes shëndetësor duhet të rregullohet dhe respektohet me ligj.