Gjykata Kushtetuese pranohet si anëtare me të drejta të plota në Konferencën Evropiane të Gjykatave Kushtetuese

Prishtinë | 28 Shk 2025 | 18:13 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është pranuar si anëtare me të drejta të plota në Konferencën Evropiane të Gjykatave Kushtetuese (KEGJK). Vendimi u mor gjatë Takimit Përgatitor të Qarkut të Presidentëve të Kongresit të 20-të të KEGJK-së, i organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në Tiranë.

Pranimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në këtë forum prestigjioz evropian u bë pas paraqitjes së kërkesës për anëtarësim nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi. Në fjalën e tij, ai theksoi se synimi i Kosovës nuk ka qenë politik, por që Gjykata të marrë vendin e saj të merituar mes institucioneve që mbrojnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut në Evropë.

KEGJK është themeluar në vitin 1972 dhe aktualisht përfshin 40 gjykata kushtetuese dhe supreme nga vende të ndryshme evropiane. Anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të sistemit kushtetues dhe rritjes së bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Të ngjashme