Gjykata Kushtetuese rrëzon vendimin e Qeverisë për Teatrin Kombëtar në Tiranë

Prishtinë | 02 Kor 2021 | 18:23 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese ka dhënë sot vendimin për çështjen e Teatrit Kombëtar duke shfuqizuar vendimin e Këshillit të Ministrave për kalimin në pronësi të teatrit te Bashkia e Tiranës. Vendimi gjithashtu shfuqizon ligjin për procedurat e për ndërtimin e godinës së re.

Si rrjedhojë, toka e teatrit i rikthehet Ministrisë së Kulturës, gjë e cila i heq të drejtën Bashkisë së Tiranës për të vazhduar me procedurat e ndërtimit të godinës së re. Në vendim, gjykata e ka shfuqizuar ligjin për ndërtimin e teatrit me partneritet publik privat duke e cilësuar si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi vendimin e Këshillit Bashkiak “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese gjithashtu bën nul vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit të publikuar më 29 qershor, që i jepte leje Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar sipas projektit të arkitektit Bjarke Ingels.

Godina e Teatrit Kombëtar u shemb më 17 maj të vitit të kaluar pas një rezistence të gjatë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar që kundërshtonin prishjen e ndërtesës me argumentin se përbën trashëgimi kulturore.

Debati për Teatrin Kombëtar nisi në fund të vitit 2017 kur qeveria zbuloi planin për ndërtimin e godinës së re përmes Partneritetet Publik-Privat. Projekti parashikonte ndërtimin e disa kullave krah godinës së teatrit, gjë e cila solli reagim të ashpër nga aktorët dhe qytetarët.

Pas tërheqjes nga ky plan, qeveria ia kaloi truallin në pronësi Bashkisë së Tiranës duke i hapur rrugën ndërtimin të godinës së re me fondet e bashkisë. Por edhe ky propozim u kundërshtua, ku Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kërkonte që projekti të realizohet në një vend tjetër duke ruajtur godinën e vjetër.

Të ngjashme