Gjykata Kushtetuese e ka pranuar kërkesën e presidentit Hashim Thaçi dhe ka vlerësuar se Vendimi nr. 01/15 i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 23 marsit 2020, nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta e Privatësisë] dhe 43 [Liria e Tubimit] dhe nenet 8 (E drejta e jetës private dhe familjare), 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-së dhe nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4 të KEDNJ;
Gjykata ka konstatuar se neni 56 [Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme] i Kushtetutës nuk është i aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret sepse nuk kemi të bëjë me “shmangie” nga të drejtat dhe liritë themelore;
Gjykata konstaton se bazuar në nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit të Republikës së Kosovës;
Duke marrë parasysh këto fakte, Gjykata e shpall të pavlefshëm, në pajtim me nenin 116.3 të Kushtetutës, Vendimin e cekur në pikën II të këtij dispozitivi, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi;
Më poshtë gjeni vendimet nga seancat shqyrtuese të mbajtura më 30 dhe 31 mars 2020
Në seancat shqyrtuese të
mbajtura më 30 dhe 31 mars 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi
dhe vendosi për kërkesat: 1. KO 219/19 dhe 2. KO 54/20.
Më poshtë mund të lexoni
përmbledhjen e shkurtra të vendimeve të Gjykatës (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen
në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):
- Vendim për vazhdimin e
masës së përkohshme
Lënda: KO 219/19
Parashtrues:
Avokati i Popullit
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i
kushtetushmërisë së Ligjit nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, i
shpallur në Gazetën Zyrtare më 1 mars 2019, dhe i cili hyri në fuqi nëntë (9)
muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Në kërkesën e tij, parashtruesi
gjithashtu kërkoi që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për “pezullimin e menjëhershëm” të Ligjit të
kontestuar, të cilën kërkesë Gjykata e miratoi pas shqyrtimit të parë, më 12 dhjetor
2019, në kohëzgjatje deri më 30 mars 2020.
– Gjykata, pa paragjykim
ndaj meritave të kërkesës dhe të kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar, në
mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën
Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, më 30 mars 2020, vendosi
njëzëri, që:
I. TA VAZHDOJË masën e përkohshme të vendosur me Vendimin për masë të
përkohshme në rastin KO 219/19, të datës të 12 dhjetor 2019, deri më 30 qershor 2020;
II. TA VAZHDOJË PEZULLIMIN e zbatimin në tërësi të Ligjit nr. 06/L-111
për Pagat në Sektorin Publik, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën I.
Gjykata e konsideroi vazhdimin e masës së përkohshme si
të domosdoshëm për dy arsye:
- Arsyeja e parë ka të bëjë me faktin që Gjykata, pas caktimit të masës së përkohshme, ka pranuar një
vëllim të konsiderueshëm të dokumenteve dhe të komenteve të dorëzuara nga palë
të ndryshme të interesuara për pranueshmërinë dhe meritat e saj, të cilat duhet të trajtohen në raport me
pretendimet e ngritura dhe me dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore.
- Arsyeja e dytë për vazhdimin e masës së përkohshme është volumi
jashtëzakonisht i madh i materialeve të pranuara nga
Komisioni i Venecias dhe gjykatat kushtetuese/supreme pjesë përbërëse të
Forumit të Komisionit të Venecias. Të gjitha këto materiale, përfshirë
praktikën legjislative dhe gjyqësore të dorëzuar nga gjykatat anëtare të
Forumit të Komisionit të Venecias, duhet të analizohen ashtu që Gjykata të mund
t‘i aplikojë ato në rrethanat e rastit konkret, për aq sa do të jenë të
aplikueshme.
Lënda: KO
54/20
Parashtrues:
Presidenti i Republikës së Kosovës
Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i
kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 01/15 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i
datës 23 mars 2020, për të cilin parashtruesi i kërkesës pretendonte se nuk
është në pajtueshmëri me nenet: 21 [Parimet e përgjithshme], 22 [Zbatimi i
drejtpërdrejtë i marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare], 35 [Liria e lëvizjes],
43 [Liria e tubimit], 55 [Kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore] dhe 56
[Të drejtat dhe liritë themelore gjatë gjendjes së jashtëzakonshme] të
Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me nenin 2 [Liria e lëvizjes] të Protokollit
nr. 4 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me nenin 13 të
Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, si dhe me nenin 12 të Paktit
Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu
kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë masë të përkohshme për pezullimin
e menjëhershëm të Vendimit të kontestuar, deri në vendosje përfundimtare nga
ana e Gjykatës, duke arsyetuar se vendosja e së njëjtës, “është në interesin publik dhe eviton rreziqet dhe dëmet e pariparueshme”.
Kërkesa bazohej në nën-paragrafin 1 të paragrafit 2 të
nenit 113 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] dhe në paragrafin 2 të nenit
116 [Efekti juridik i vendimeve] të Kushtetutës, në nenet 22, 27, 29 dhe 30 të
Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32, 56 dhe 57
të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.
Më poshtë gjeni konkluzionet e Gjykatës dhe vendimin nga
seanca shqyrtuese e mbajtur më 31 mars 2020:
Përfundime
- Si çështje paraprake,
Gjykata në këtë Aktgjykim sqaroi se nuk është roli i saj që të vlerësoj se a
janë adekuate dhe të duhura masat e ndërmarra nga Qeveria për parandalimin dhe
luftimin e pandemisë COVID-19. Për më tepër, Gjykata vë në pah se nevoja për të
ndërmarrë masa dhe domosdoshmëria e tyre nuk është kontestuar nga asnjë palë në
këtë rast. Përcaktimi i politikave rreth shëndetit publik nuk hyn në
kompetencat dhe autorizimet e Gjykatës Kushtetuese. Për çështje të shëndetit
publik, edhe vet Gjykata Kushtetuese u referohet dhe bindet institucioneve
përkatëse shëndetësore dhe profesionale në nivel shtetëror dhe botëror.
- Çështja kushtetuese që
ngërthen ky Aktgjykim është përputhshmëria me Kushtetutën e Vendimit të
kontestuar të Qeverisë, përkatësisht nëse me nxjerrjen e tij, Qeveria ka
kufizuar të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë në
përputhje me ligjin apo përtej autorizimeve të përcaktuara me ligj. Në këtë
kontekst, përkitazi me vlerësimin nëse kufizimet e bëra në nivel të të gjithë
Republikës së Kosovës përmes Vendimit të kontestuar të Qeverisë janë të
përcaktuara me ligj, Gjykata është fokusuar në vlerësimin e autorizimeve të
përcaktuara përmes neneve 41 dhe 44 të Ligjit nr. 02/L-109 për Luftimin dhe
Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse dhe neneve 12 (1.11) dhe 89 të Ligjit nr.
04/L-125 për Shëndetësi.
- Në këtë drejtim, Gjykata
shqyrtoi: (i) kërkesën e parashtruesit dhe pretendimet e paraqitura në këtë
kërkesë; (ii) komentet e dorëzuara nga Qeveria dhe palët e tjera të
interesuara; (iii) praktikën gjyqësore të GJEDNJ-s dhe posaçërisht, parimeve të
përgjithshme rreth aplikueshmërisë së kriterit “e përcaktuar me ligj” për sa i takon aspektit të kufizimit të të
drejtave dhe lirive themelore; dhe (v) praktikën gjyqësore të vet Gjykatës
Kushtetuese.
- Bazuar në shqyrtimet dhe vlerësimet
e sipërshënuara, Gjykata, njëzëri, vendosi ta shpallë kërkesën KO54/20 të
pranueshme për shqyrtim në merita meqë, në rrethanat e rastit konkret, ishin
plotësuar të gjitha kushtet e pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutë,
Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës.
- Po ashtu, Gjykata vendosi
njëzëri se Vendimi [nr. 01/15] i 23 marsit 2020 i Qeverisë nuk është në
përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të
Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria
e Lëvizjes], 36 [E drejta për privatësi], 43 [Liria e Tubimit] të Kushtetutës
dhe me nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4, nenin 8 (E drejta për
jetë private dhe familjare) dhe nenin 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të
KEDNJ-së.
- Gjykata konstatoi se
kufizimet që përmban Vendimi i kontestuar i Qeverisë përkitazi me të drejtat
dhe liritë themelore kushtetuese të lartcekura, nuk janë të “përcaktuara me ligj”, andaj bien në
kundërshtim me garancitë që përmbajnë nenet 35, 36 dhe 43 të Kushtetutës në
lidhje me nenet respektive të KEDNJ-së, dhe me nenin 55 të Kushtetutës,i cili
në paragrafin e tij të parë përcakton qartë që të drejtat dhe liritë themelore
të garantuara me Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj.
- Gjykata theksoi faktin që
Vendimi i kontestuar i Qeverisë, i referohet zbatimit të dy ligjeve të
lartcekura, të cilat e autorizojnë Ministrinë e Shëndetësisë që të ndërmarrë
masa të caktuara në ato ligje me qëllim të parandalimit dhe luftimit të
sëmundjeve ngjitëse. Megjithatë, Gjykata konstatoi se ligjet e lartcekura, nuk
e autorizojnë Qeverinë që të kufizojë të drejtat dhe liritë kushtetuese të
përcaktuara me nenet 35, 36 dhe 43 të Kushtetutës në nivel të të gjithë
Republikës së Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa
përjashtim.
- Në këtë aspekt, Gjykata
konstatoi se kufizimet e shqiptuara përmes Vendimit të kontestuar: (i) lidhur
me lirinë e lëvizjes dhe të tubimit të përcaktuara përmes neneve 35 dhe 43 të
Kushtetutës, tejkalojnë kufizimet e lejuara përmes ligjit të lartcekur të
miratuar nga Kuvendi; dhe (ii) lidhur me “tubimet
në të gjitha mjediset – private dhe publike, të hapura ose të mbyllura” e
që ngërthejnë aspekte të të drejtave të garantuara përmes nenit 36 të
Kushtetutës, nuk janë të bazuara në asnjë autorizim të përcaktuar me ligjin e
lartcekur apo edhe ndonjë ligj tjetër të Kuvendit.
- Gjykata sqaroi se Qeveria
nuk mund të kufizojë asnjë të drejtë dhe liri themelore përmes vendimeve, nëse
një kufizim i të drejtës përkatëse nuk është paraparë me ligj të Kuvendit.
Qeveria vetëm mund të zbatojë një ligj të Kuvendit që kufizon një të drejtë dhe
liri themelore dhe atë vetëm deri në masën specifike që e ka autorizuar Kuvendi
përmes ligjit përkatës.
- Lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 56
[Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme] të
Kushtetutës, Gjykata konstatoi se ky nen nuk është i aplikueshëm në rrethanat e
rastit konkret, ngase i njëjti është i aplikueshëm vetëm pas shpalljes së
Gjendjes së Jashtëzakonshme..
- Gjithsesi, lidhur me
mos-pajtimin e palëve në kontest, Presidentit dhe Qeverisë, rreth kuptimit të
termeve kushtetuese “kufizim” dhe “shmangie” që figurojnë në nenet 55 dhe
56 të Kushtetutës, Gjykata qartësoi se “kufizimi”
i të drejtave dhe lirive të njeriut mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit,
por kjo nuk do të thotë që “kufizimi”
i të drejtave, mund të bëhet vetëm përmes dhe pas shpalljes së Gjendjes së
Jashtëzakonshme. Gjykata po ashtu sqaroi se termi “kufizim” i përdorur në nenin 55 të Kushtetutës nënkupton faktin që
Kuvendi ka të drejtë të kufizojë të drejta dhe liri themelore, përmes ligjit,
por vetëm për aq sa dhe deri në atë masë sa është e domosdoshme që, në një
shoqëri të hapur dhe demokratike, të përmbushet qëllimi për të cilin lejohet
kufizimi. Thënë ndryshe, “kufizimi”
nënkupton një shkallë më të lehtë të ndërhyrjes dhe kjo mund të bëhet edhe pa
shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme; ndërkaq “shmangia” nënkupton një shkallë më të rëndë të ndërhyrjes ngase
nuk mund të bëhet kurrsesi pa u shpallur Gjendja e Jashtëzakonshme.
- Për sa i takon kërkesës për masë të përkohshme, Gjykata konstatoi se pas
vendimit unanim të gjyqtarëve që të vendosin në tërësi për meritat e rastit dhe
të nxjerrin këtë Aktgjykim, e njëjta ngeli e pa objekt.
- Duke u bazuar në nenet 116.3 të Kushtetutës, 20.5 i Ligjit për Gjykatën
Kushtetuese dhe rregullin 60 (5) të Rregullores së punës, Gjykata përcaktoi
datën 13 prill 2020, si datë të hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi,
respektivisht shfuqizimit të Vendimit të kontestuar të Qeverisë.
- Gjykata ka përcaktuar një datë tjetër të hyrjes në fuqi
të Aktgjykimit të saj, respektivisht datën 13 prill 2020, përjashtimisht dhe
duke marrë parasysh: (i) rrethanat e krijuara me shpalljen e pandemisë COVID-19
në nivel botëror; (ii) rekomandimet përkatëse të institucioneve shëndetësore në
nivel shtetëror dhe botëror; (iii) pasojat potencialisht të dëmshme për
shëndetin publik si rezultat i shfuqizimit të menjëhershëm të kufizimeve të
përcaktuara përmes Vendimit të Qeverisë; dhe (iv) mbrojtjen e shëndetit dhe
interesit publik deri në zbatimin e këtij Aktgjykimi nga institucionet
relevante të Republikës së Kosovës.
- Gjatë kësaj periudhe kohore
dhe në kuptim të nenit 55 të Kushtetutës përkitazi me “kufizimin” e të
drejtave dhe lirive themelore, institucionet
relevante të Republikës së Kosovës, dhe në radhë të parë Kuvendi, duhet të
ndërmarrin masat e duhura për tu siguruar që kufizimet e nevojshme të të
drejtave dhe lirive themelore më qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, janë
bërë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim.
- Në fund, Gjykata po ashtu thekson se Ministria e Shëndetësisë,
respektivisht Qeveria, vazhdon të jetë e autorizuar që të nxjerr vendime me
qëllim të parandalimit dhe luftimit të pandemisë, për aq sa është e autorizuar
përmes të Ligjit nr. 02/L-109 për Luftimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve
Ngjitëse dhe Ligjit nr. 04/L-125 për Shëndetësi.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata
Kushtetuese, në pajtim me nenet 113.2 (1) dhe 116 të Kushtetutës, në nenet 20 dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 31
mars 2020, njëzëri
VENDOS
- TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
- TË
SHPALLË që Vendimi nr. 01/15 i
Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 23 marsit 2020, nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe
Lirive Themelore] të Kushtetutës në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36
[E drejta e Privatësisë] dhe 43 [Liria e Tubimit] dhe nenet 8 (E drejta e jetës
private dhe familjare), 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-së dhe
nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4 të KEDNJ;
- TË
KONSTATOJË
që neni 56 [Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme]
i Kushtetutës nuk është i aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret sepse nuk
kemi të bëjë me “shmangie” nga të
drejtat dhe liritë themelore;
- TË
KONSTATOJË
që, bazuar në nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të
Kushtetutës, kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit të
Republikës së Kosovës;
- TË
SHPALLË të pavlefshëm, në pajtim me nenin 116.3 të Kushtetutës, Vendimin e
cekur në pikën II të këtij dispozitivi, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij
Aktgjykimi;
- T’UA
KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
- Ky
aktgjykim, në pajtim me nenin 116.3 të Kushtetutës, nenin 20.5 të Ligjit
dhe rregullin 60 (5) të Rregullores së punës, hyn në fuqi më 13 prill 2020; dhe
- TË
PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të
Ligjit.