Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konstatuar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, për shkak të zvarritjes së procedurave në rastin civil të parashtruar nga Rexhep Gaxherri, i cili ka qenë në pritje të vendimit që nga viti 1991.
Gjykata njëzëri e shpalli kërkesën të pranueshme dhe konstatoi se përgjegjësia për vonesat i takon Gjykatës Themelore në Gjakovë, e cila dështoi të nxjerrë vendim brenda një afati të arsyeshëm. Lënda ishte iniciuar për kompensimin e një prone të shpronësuar në vitin 1989 dhe, pas procedurave të shumta, ende nuk ishte zgjidhur deri në mars 2025.
Gjykata Kushtetuese urdhëroi që gjykatat e rregullta të ndërmarrin masa të menjëhershme për përmbylljen e kësaj çështjeje me prioritet dhe dinamikë të shtuar.