Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy vëllezërve të dyshuar për sulmin brutal ndaj pronarit të barnatores “Rexall”, në Prishtinë.
Sinjali mëson se Gjykata ka urdhëruar masën e arrestit shtëpiak për Albert dhe Veton Cakolli, në kohëzgjatje prej 1 muaji, si të dyshuar për veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor”.
Sipas Prokurorisë, “ekziston dyshimi i bazuar se më 22 maj 2022, rreth orës 02:20, para barnatores “Rexall”, në rrugën “Mark Dizdari”, në Prishtinë, derisa i dëmtuari D.A., ka qenë duke e mbyllur barnatoren e lartcekur, të pandehurit V.C. dhe A.C., me dashje dhe në bashkëkryerje e kanë sulmuar me mjete të forta (shufra) të dëmtuarin, me të cilat veprime i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore.”
Sinjali ka publikuar të hënën pamje ekskluzive ku shihet momenti se si dy të rinjtë iu vunë nga pas viktimës, të cilin e rrëzojnë përtokë dhe e sulmojnë brutalisht.