Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, ua ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit dy të akuzuarve për mashtrim, Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi.
Vendimi për vazhdimin e paraburgimit ndaj të akuzuarve Hashimi dhe Rexhepi është marr më 28 tetor 2019, nga gjykatësja e rastit, Medie Bytyqi.
Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se nëse të akuzuarit gjenden ne liri të plotë mund të pengojnë rrjedhjen normale të procedurës.“Sipas këtij vendimi gjykata vlerëson se po të gjenden të akuzuarit në liri të plotë mund ta pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale ngase ka arsye për të besuar se ata do t’i asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprën penale apo edhe të ndikojnë në bashkëpjesëmarrësin Ekrem Lika, i cili ende nuk është dëgjuar nga prokurori”, thuhet në vendim.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 gusht 2019, ndaj të akuzuarve kishte vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj deri më 28 tetor 2019.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 21 mars 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për shkak të veprës penale “Mashtrimi”, në bashkëkryerje, nga neni 335 par.5 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas prokurorisë, në periudhën kohore prej 30 dhjetor 2011, deri më 24 korrik 2012, në Prishtinë, në zyrën e të dëmtuarit Faton Dalladaku, e cila gjendet në rrugën “Perandori Justinian”, në lagjen “Pejton”, të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me të pandehurin tjetër Ekrem Lika, i cili për momentin gjendet në arrati, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin si dhe për t’i shkaktuar dëm personit tjetër, e kanë vënë në lajthim të dëmtuarin Faton Dalladaku.
Gjithnjë sipas prokurorisë, ata përmes të akuzuarit Kadri Rexhepi, prezantohen rrejshëm para të dëmtuarit dhe atë i akuzuari Rrahim Hashimi, si i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, ndërsa i akuzuari Ekrem Lika si dhëndër i Kadri Veselit, ashtu që të tre së bashku kinse me qëllim të ndërmjetësimit për blerjen e Qendrës Kardiake të Kosovës SH.P.K në Prishtinë, raporton “Betimi per Drejtesi”
Prokuroria pretendon se ky ndërmjetësim pretendohej të realizohej kinse mes personit të quajtur Ekrem Lluka si shitës dhe Faton Dalladaku si blerës, ashtu që e nxisin të njëjtin të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke i prezantuar draft-kontrata sipas të cilave arrijnë ta bindin se i akuzuari Rrahim Hashimi, është pronar i Qendrës Kardiake të Kosovës, me 20 për qind të aksioneve, ndërsa Ekrem Lluka me 80 për qind, me ç’rast arrijnë të marrin nga i dëmtuari Dalladaku shumën e përgjithshme të të hollave prej 290 mijë e 810 euro, për të cilën shumë edhe i shkaktojnë dëm material.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” në bashkëkryerje, nga neni 335 par.5 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.