Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Kadri Rexhepin dhe Rrahim Hashimin të akuzuar për mashtrim të Faton Dalladakut lidhur me ndërtimin e një spitali në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Gjykata e ka dënuar me 3 vjet e 9 muaj Hashimin, kurse Rexhepin me 3 vjet.
Kryetarja e trupit gjykues Medie Bytyqi, tha se në bazë të dëshmive të ofruara të akuzuarit kanë veprën penale mashtrim.
“Në emër të popullit Gjykata Themelore merr këtë aktgjykim, të akuzuarit Kadri Rexhepi dhe Rrahim Hashimi janë fajtor sepse kanë kryer veprën penale mashtrim të paraparë”.
“Gjykatat vendos që Rrahim Hashani të dënohet me 3 vjet e 9 muaj burgim dhe Kadri Rexhepi me 3 vjet burgim. Në kuadër llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim”.
“Obligohen të akuzuarit t’i paguajnë shpenzimet e procedurës penale dhe të gjitha duhet të kryhen në afat për 15 ditës”.
Faton Dalladaku, tha se nuk është i kënaqur me vendimin e gjykatës ngase atij i është shkaktuar përveç dëmit material edhe dëm psikik.
“Unë e mirëpres vendimin e gjykatës, megjithatë s’jam i kënaqur me dënimin, më kanë kryer shumë dëme materiale, psike”.
“Ne do të ndjekim rrugët ligjore për të ankimuar me vendimin. Dëmi materiali më i madh është ai moral. Rri mbrapa deklaratave që i kam dhënë para hetuesve”.
Prokuroria e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë në mars të vitit 2018 ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për mashtrim.
Aktakuza thotë se prej dhjetorit të vitit 2011 e deri në korrik të vitit 2012, të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me Ekrem Likën, i cili është në arrati, kanë mashtruar tani të dëmtuarin Faton Dalladaku duke u prezantuar si njerëz të afër të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit përmes Kadri Rexhepit.