Gjykata Themelore në Gjakovë e ka hudhur poshtë aktakuzën për korrupsion ndaj ish-infermieres në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, Fatmire Sahiti.
Të përfshirë në këtë rast janë edhe Skender Ndrecaj dhe Leonora Ymeraga, ish-drejtor i infermierisë dhe juriste në zyrën e personelit, për të cilët gjykata e ka konfirmuar aktakuzën, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Një vendim i tillë sa i përket të akuzuarës Sahiti, sipas aktvendimit të përpiluar nga gjykatësi Drilon Haraçia, ka ardhur pas analizimit të shkresave të lëndës dhe kërkesës së mbrojtësit të të akuzuarës Sahiti.
“Sipas Gjykatës e pandehura me rastin e mos paraqitjes në punë (edhe pse ka qenë i njoftuar mbikëqyrësi i saj dhe pastaj të akuzuarit 1 dhe 2) nuk janë konsumuar elementet e veprës penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par.1 të KPRK-së, pasi që mos paraqitja në punë nuk paraqet vepër penale dhe se shkelja e nenit 69 parg.2 të Ligjit të Punës (sipas Prokurorisë) nuk parasheh se në rast se shkelet ky nen i punësuari përgjigjet penalisht”, thuhet në aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, në aktvendim thuhet se sa i përket të akuzuarës Sahiti më tepër kemi të bëjmë me kontest civil nga marrëdhënia e detyrimeve.
“Kjo Gjykatë konsideron se nuk kemi të bëjmë me veprime inkriminuese, shtuar faktin këtu se edhe pse e pandehura e tretë të hollat – pagat ia ka kthyer të dëmtuarës, po edhe në të kundërtën sipas kësaj Gjykate do të kishim të bëjmë me kontest civil nga marrëdhënia e detyrimeve, e jo me vepër penale, pra me mos paraqitjen në punë të pandehurës, ka qenë obligim i institucionit që të ia shkëput marrëdhënien e punës dhe ta heq nga lista e pagave (personat përgjegjës), pra të pandehurës – institucioni është dashur se në bazë të nenit 67 parg.1 pika 1.9 të Ligjit të Punës të ia ndërpresë kontratën e punës.”, thuhet tutje në aktvendim.
Sipas aktakuzës, Skender Ndrecaj dhe Leonora Ymeraga po akuzohen se nga maji e deri në nëntor të vitit 2019, duke mos përmbushur detyrat zyrtare të tyre me qëllim që t’i sjellin dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme për tjetrin si dhe t’i shkaktojnë dëm të tjerëve, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare.
Në aktin akuzues thuhet se këtë e kanë bërë duke vepruar në kundërshtim me nenin 70, paragrafin 1 të Ligjit të Punës. Siç thuhet, edhe pse përmes parashtresës së 7 majit 2019, nga infermieri kryesor Liridon Marku kanë qenë të njoftuar se Fatmire Sahiti, e punësuar si infermiere instrumentare në traktin operativ me dhomë zgjimi nuk paraqitej në vendin e punës nga 2 maji 2019, nuk kanë ndërmarrë veprime për ta njoftuar menaxhmentin e spitalit për vazhdimin e procedurave ligjore për shkëputjen e kontratës së punës, me çka të akuzuarës Fatmire i kanë mundësuar marrjen e pagës edhe pse në periudhën kohore nga muaji maj e deri në muajin nëntor 2019 nuk është paraqitur në vendin e punës, përkatësisht nuk ka punuar. Më këtë thuhet se buxhetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 2,716.02 euro.
Për këtë, ata po akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Për këtë vepër penale parashihet dënimi me burgim prej 1 deri në 8 vjet.
Tutje, Fatmire Sahiti akuzohej se në cilësinë e infermieres kishte keqpërdorur detyrën duke vepruar në kundërshtim me nenin 69, paragrafin 2 të Ligjit të Punës. Në aktin akuzues thuhet se paraprakisht nuk e ka njoftuar me shkrim menaxhmentin për shkëputjen e marrëdhënies së punës, ka inkasuar mjete materiale si pagë mujore për periudhën kohore nga muaji maj e deri në nëntor 2019, edhe pse gjatë kësaj periudhe kohore nuk paraqitej në vendin e punës, me çka buxhetit të Kosovës i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 2,716.02 euro.
Për këtë, ajo po akuzohej për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së.