Nga mekanizmi ndërkombëtar i mbetur nga e kaluara për gjykatat penale (trashëgimtar i Tribunalit të Hagës), për Radion Evropa e Lirë, është konfirmuar se një i burgosur në burgun holandez në Sheveningen, më datën 18 mars është diagnostikuar me koronavirus, por se nuk bëhet fjalë për të burgosurin që është aktualisht nën autoritetin e Mekanizmit në Njësinë e Paraburgimit të Kombeve te Bashkuara, e vendosur në njësi të veçantë të burgut.
“Pacienti nuk ka pasur asnjë kontakt me të burgosurit që ndodhen të arrestuarit aktualisht në qendrën e paraburgimit në Hagë. Mekanizmi merr çdo masë të mundshme për të mbrojtur të arrestuarit nga ekspozimi ndaj infeksionit”, tha zëdhënësja e Mekanizmit, Helena Iglston për Radion Evropa e Lirë.
Ajo ka shtuar se janë ndërmarrë masa të ngjashme me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të paraburgosurve edhe në Njësinë e Paraburgimit në Arushe në Tanzani, aty ku edhe është selia Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën, ndërkohë që autoritetet e burgimit të Tanzanisë, që nga 19 marsi e tutje, i kanë ndaluar të gjitha vizitat nëpër burgje.
“Mekanizmi nuk disponon informata lidhur me rastet e mundshme për COVID-19 nëpër burgjet nacionale, aty ku personat e dënuar, sipas ingerencave të tij, vuajnë dënimet e tyre prej të burgosuri”, ka thënë Iglston.
Avokatët mbrojtës kërkojnë lirimin e të burgosurve
Shoqata e Këshillit të Mbrojtjes përpara Gjykatave Ndërkombëtare (ADC-ICT) ka kërkuar nga mekanizmi presidencial, gjykatësi Carmel Agius, që për shkak të pandemisë së koronavirusit “urgjentisht të aprovojë lirimin e parakohshëm ose të përkohshëm për të burgosurit”.
“Të gjithë të burgosurit që vuajnë dënimin në Evropë dhe Benin (Afrikë Perëndimore) janë të burgosur të moshuar dhe për këtë arsye janë veçanërisht të cenueshëm. Nëse ata infektohen me koronavirus gjatë mbajtjes në burg, jeta e tyre do të rrezikohet. Duke pasur parasysh që shumë prej tyre i kanë vuajtur dy të tretat e dënimit, dhe është rregulluar praktika gjyqësore që personi cili i ka vuajtur dy të tretat e dënimit ka të drejtë të aplikojë për lirim të parakohshëm”.
“Presidenti i Mekanizmit duhet të aprovojë menjëherë lirimin e parakohshëm të këtyre të burgosurve, sidomos atyre të cilët tashmë janë në pritje të vendimit të Presidentit të Mekanizmit”, bëjnë të ditur nga Shoqata e Këshillit të Mbrojtjes përpara Gjykatave Ndërkombëtare.
Mbrojtësit kërkuan nga presidenti i Mekanizmit që të dënuarit të cilët ende nuk i kanë vuajtur dy të tretat e dënimit, të lirohen me kusht, me raportime të rregullta të Sekretariatit për njësitë e paraburgimit individual me qëllim të sigurimit që kthimi i tyre të realizohet atëherë kur gjendja të jetë tërësisht e sigurt.
Presidenti i Mekanizmit po shqyrton kërkesën
Në pyetjen e REL-it, se cila do të jetë përgjigjja në kërkesat e Shoqatës së Mbrojtësve, zëdhënësja e Mekanizmit, Helena Iglston thekson se “kjo çështje është në kompetenca të organeve gjyqësore e të cilat aktualisht po i shqyrton presidenti i Mekanizmit” e për çka në këtë moment nuk janë në gjendje që t’i komentojnë .
Iglston ka shtuar se për shkak të pandemisë së koronavirusit “Njësia e Paraburgimit e Kombeve të Bashkuara në Hagë, në koordinim me shërbimin e burgjeve holandeze, ka ndërmarrë një varg çështjesh me qëllim të mbrojtjes shëndetësore të paraburgosurve”.
“Që nga e shtuna, më 14 mars 2020, janë pezulluar deri në një vendim tjetër, të gjitha aktivitetet dhe shërbimet që nuk konsiderohen të jenë të natyrës urgjente dhe të domosdoshme,dukei përfshirë edhe vizitat për të paraburgosurit”.
“Po ashtu, Mekanizmi rregullisht zhvillon kontrolle për zbatimin e dënimeve me qëllim që të sigurohet se kushtet në burgje për personat që vuajnë dënimet në shtetet e Evropës dhe të Afrikës të janë në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare për burgje si dhe të standardeve relevante për të drejtat e njeriut”, ka thënë Iglston.
“Që nga paraqitja e pandemisë COVID -19, Mekanizmi me përkushtim po e përcjellë zhvillimin e situatës në të gjitha shtetet në të cilat kryhen dënimet me burg, për çka ka bashkëpunim të plotë me autoritetet përkatëse kombëtare, njoftoi zëdhënësja e Mekanizmit.
Ajo shtoi se mirëqenia e të arrestuarve ka një përparësi nga Mekanizmit dhe se gjykata është “në dijeni të rreziqeve që COVID-19 paraqet për të ndaluarit, duke pasur parasysh moshën dhe profilin e tyre shëndetësor, si dhe historinë e sëmundjeve të tyre të mundshme”.
Kush është në njësinë e paraburgimit të Kombeve të Bashkuara?
Pesë persona janë nën autoritetin e Mekanizmit dhe në Njësinë e Paraburgimit Sheveningen, në mesin e tyre janë Ratko Mlladiq, Radovan Karaxhiq dhe Milivoj Petkoviq.
Ratko Mladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës serbe, u dënua për herë të parë nga Gjykata e Hagës në nëntor të 2017 me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për gjenocid në Srebrenicë, për persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në Bosnje dhe Hercegovinë, për terrorizim të popullatës në Sarajevë, për granatimin dhe gjuajtjen me snajper dhe për peng-marrje të anëtarëve të UNPROFORIT nga viti 1992 deri në vitin 1995.
Seanca dëgjimore për ankesat e mbrojtjes dhe ndjekjen penale në aktgjykimin e shkallës së parë, ishte caktuar për 17 dhe 18 Mars 2020, por Mekanizmi njoftoi disa ditë më parë (më 11 Mars) se procedurat ishin shtyrë për shkak të gjendjes shëndetësore të Mlladiqit.
Mlladiq është në paraburgim në Sheveningen që nga fundi i muajit maj 2011, pasi që ai u arrestua nga pushteti i Serbisë më 26 maj të po atij viti në fsharin Llazarevë afër Zrenjaninit , rreth 80 kilometra në veri të Beogradit.
Karaxhiq është në pritje të transferimit për të vuajtur dënimin e tij.
Pasi u dënua në mars të 2019-tës me burgim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë, persekutim në gjithë shtetin e Bosnje dhe Hercegovinës, terrorizimin e qytetarëve të Sarajevës dhe marrjen peng të anëtarëve të UNPROFORIT, ish-presidenti i Republikës serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Radovan Karaxhiq, është ende në pritje në njësinë e paraburgimit Sheveningen për tu transferuar në njërin nga burgjet e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara të cilat kanë nënshkruar marrëveshje me Tribunalin.
Karaxhiq u burgos në Serbi më 21 korrik 2008 pasi që fshihej në Beograd. Nëntë ditë më vonë, ai u transferua në Tribunalin e Hagës. Gjykimi i tij filloi më 26 tetor 2009 gjatë të cilitDhoma Hetimore dëgjoi dëshminë e 586 dëshmitarëve në sallën e gjyqit.
Ish-shefit të Shtabit të Këshillit Kroat të Mbrojtjes (HVO) Milivoj Petkoviqit, në nëntor 2017, i është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë sipas të cilës, për shkak të krimeve ndaj boshnjakëve më 1993 në Bosnje dhe Hercegovinë,është dënuar me 20 vjet burgim. Ai është në pritje që nga Sheveningeni të ekstradohet në shtetin ku do të vuaj dënimin.
Stanishiqi dhe Simatoviqi, në liri me kusht
Para Mekanizmit në Hagë, edhe më tej po vazhdon procedura ndaj ish-shefit të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, Jovica Stanishiq dhe punëtorit operativtë atij shërbimi Franko Simatoviq për shkak të krimeve të luftës në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.
Autoritetet e Serbisë, Stanishiqin dhe Simatoviqin, i arrestuan dhe i ekstraduan në Hagë në pranverën e vitit 2003, menjëherë pas vrasjes së kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq.
Pas gjykimit të parë, i cili në përpjekjen e parë ishte i pasuksesshëm, shkalla e parë e Tribunalit të Hagës, i liroi Stanishiqin dhe Simatoviqin në muajin maj të vitit 2013 , si të pafajshëm nga të gjitha 5 pikat e aktakuzës. Megjithatë, Kolegji i Apelit i Tribunalit, miratoi në dhjetor 2015, arsyet themelore të ankesës së paraqitur nga Prokuroria kundër këtij aktgjykimi, duke e prishur aktgjykimin lirues dhe urdhëroi që procesi të kthehet në rigjykim.
Stanishiqi është liruar me kusht për shkak të gjendjes së tij shëndetësore që nga vera e vitit 2017, liri kjo e cila i është vazhduar disa herë. Sipas vendimit të fundit të Mekanizmit, ai do të mbetet në liri me kusht në Serbi deri më 30 prill 2020.
Sipas vendimit të Mekanizmit të datës 12 mars 2020, Franko Simatoviq, i cili deri tani ishte prezent në gjykim, është përkohësisht në liri deri më 23 prill 2020.
Stanishiqi dhe Simatoviqi janë në Beograd, ndërsa për ta ka garantuar Qeveria e Serbisë.
Autoritetet në Beograd , disa herë kanë kërkuar nga Kombet e Bashkuara që të burgosurit që janë gjykuar para Tribunalit të Hagës e që janë shtetas të Serbisë, dënimet e tyrë t’i vuajnë në Serbi.
Të dënuarit e Hagës në burgjet e 14 vendeve
Më shumë se 60 të dënuar nga Tribunali kanë vuajtur ose janë ende duke vuajtur dënimet për krime gjatë luftës në ish-Jugosllavi në 14 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara të cilat kanë nënshkruar marrëveshje me Tribunalin.
Kushtet e paraburgimit në Estoni, Portugali, Belgjikë, Mbretëri të Bashkuara, Danimarkë, Spanjë, Francë, Austri, Norvegji, FInlandë, Itali, Poloni dhe Gjermani mbikëqyren nga Kryetari i Gjykatës.