Katër aktiviste të përfshirë në aksionin e grafiteve në Mitrovicë, janë dënuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, secila me nga 100 euro për mbishkrimet e vendosura në muret e objekteve publike.
Aksioni i shkrimit të grafiteve i ndërmarrë nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe aktivistet/ët mitrovicase/ës, me datë 25 prill 2021 është konsideruar si prishje e rendit dhe qetësisë publike sipas vendimit.
Megjithatë, për ne ky arsyetim nuk është valid, duke e bërë këtë vendim një përpjekje tjetër institucionale për t’i shtypur ndërhyrjet feministe në çdo formë që ato mund të marrin.
Gjykimi jonë bazohet mbi dy premisa kryesore:
- Hapësirat publike të komunës së Mitrovicës, sikundër edhe qyteteve të tjera, janë të mbushura me grafite, përmbajtja e të cilave shpesh është fashiste, seksiste e të cilat veç i shërbejnë urrejtjes dhe dhunës. Megjithatë, ne nuk kemi dëgjuar për dikë që është dënuar për to.
- Arsyeja kryesore e inicimit të rastit nga Institucioni i Policisë ka qenë përmbajtja, jo akti per se.
Qasja e zyrtarëve policorë në Mitrovicë ka treguar që Institucioni i Policisë ka qenë “i shqetësuar” për mesazhat të cilat janë shkruar. Përgjatë marrjes në pyetje të aktivisteve/ëve, zyrtarët policor kanë qenë të irrituar nga mbishkrime si “virgjiniteti është shpikje e burrave”, së cilës i janë përgjigjur me pyetjen se “çka nëse unë e du gru’n e virgjër?”. Tutje, polemizimi ka qenë edhe në nivel diskursiv, duke u fokusuar në fjalët të cilat kanë ngjyrime fetare si fjalët “rob”, “haram”. Në këtë, zyrtarët policorë kanë insistuar që përzgjedhja e fjalëve do duhej të bëhej në mënyrë më neutrale, në mënyrë që “të mos provokojë” ndonjë komunitet të caktuar. Të gjitha këto deklarata janë bërë nën uniformën e Policisë, e cila mëton se është e ndërtuar
mbi parimin e respektimit të barazisë gjinore dhe laicitetit.
Pas përfundimit të marrjes në pyetje nga Policia, rasti është inciuar nga Policia me arsyetimin se mbishkrimet “kanë përçuar mesazhe turpëruese dhe ofenduese” dhe dërguar pranë Gjykatës themelore në Mitrovicë, ku dhe është marrë vendimi për dënim me gjobë për katër nga aktivistet/ët. Për ne, ky vendim nuk mund të lexohet ndryshe veç se si një sinjal i aktivizimit të aparatit represiv të shtetit i cili synon disiplinimin e feministeve/ëve. Irritimi institucional me çdo përpjekje
të cilat e destabilizojnë status quo-në e cila vazhdon t’i dhunojë vajzat dhe gratë dhe identitetet tjera të paprivilegjuara është i dukshëm dhe po manifestohet dhunshëm. Megjithatë, ne e theksojmë që ne do t’i kundërvihemi kësaj ndërmarrjeje duke vazhduar rezistencën tonë
kolektive deri në çlirimin nga çdo shtypjeje institucionale.