Gjykata pezullon zbatimin e vendimit të KGJK-së për zgjedhjen e anëtares nga radhët e Supremes

Prishtinë | 26 Shk 2026 | 18:49 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar pjesërisht si të bazuar kërkesën për masë të sigurisë të paraqitur nga gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj, duke pezulluar kështu zbatimin e vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) të 29 janarit 2026 për certifikimin e rezultatit zgjedhor për anëtarë të Këshilit nga Supremja, lidhur me pjesën e kandidates Franciska Zhitia-Ymeri.

“CAKTOHET MASA E SIGURISË, ashtu që PEZULLOHET zbatimi i vendimit të KGJK.nr.39/2026 i datës 29.01.2026 në pjesën që i referohet kandidates femër, përkatësisht gjyqtares Franciska Zhitija-Ymeri, nga dita e pranimit të këtij aktvendimi e deri në marrjen e një vendimi meritor të plotfuqishëm sipas padisë së paditëses”, thuhet në vendim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas vendimit të 26 shkurtit 2026, refuzohet si e pabazuar kërkesa për pezullimin e vendimit të KGJK-së në pjesën që i referohet kandidatit Rrustem Thaqi.

Ndryshe, gjyqtarja Mejreme Memaj kishte paditur Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) duke kërkuar anulimin e vendimit me të cilin u certifikua rezultati zgjedhor për dy anëtarë të Këshillit nga shkalla e tretë. Memaj paraqiti edhe kërkesë për masë të sigurisë- pezullimin e zbatimit të vendimit të 29 janarit 2026.

Nga certifikimi i rezultatit zgjedhor, KGJK-ja kishte konstatuar se anëtarë të rinj të Këshllit nga radhët e Supremes janë Rrustem Thaqi dhe Franciska Zhitia-Ymeri. Dy të fundit ishin zgjedhur në raundin e dytë. Andaj, paditësja Memaj kërkon të certifikohet rezultati që doli nga raundi i parë dhe që ajo dhe Thaqi të zgjidhen anëtarë pasi kanë marrë shumicën e kërkuar të votave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas padisë së gjyqtares Memaj e cila përfaqësohet nga avokati Besnik Berisha, që mban datën 18 shkurt 2026, thuhet se më 26 dhjetor 2025, Këshilli Gjyqësor shpalli konkursin për dy pozita për anëtarë nga radhët e Gjykatës Supreme, e në të cilin konkurs aplikoi edhe paditësja Mejreme Memaj pasi i plotësonte kriteret.

Aty thuhet se më 23 janar 2026 u zhvillua procesi zgjedhor, në të cilin nga 35 gjyqtarë me të drejtë vote, të pranishëm ishin 34 gjyqtarë nga Supremja, dhe se nga 34 fletëvotime vetëm një u shpall i pavlefshëm. Dhe pas numërimit, Memaj kishte marrë 17 vota sa edhe Rrustem Thaqi, kurse nga 16 Bashkim Hyseni dhe Franciska Zhitia-Ymeri.

Sipas padisë, nga raudi i parë i votimit, paditësja ka fituar 51.52%- shumicën e votave, ku edhe kishte kuorum të mjaftueshëm dhe se paditësja duhej të shpallej anëtare e KGJK-së. Por, në padi theksohet se Komisioni Zgjedhor kishte vendosur që përkundër këtij rezultati të kalohej në raund të dytë, në të cilin nga 19 vota kishte marrë Thaqi dhe Zhitia-Ymeri, kurse nga 15 Hyseni dhe Memaj.

Në padi thuhet se një veprim i tillë, i legjitimuar edhe nga KGJK-ja, është në kundërshtim me Rregulloren për procedurën dhe kriteret për zgjedhjen e anëtarit të KGJK-së duke u cenuar të drejtet kushtetuese ngase Memaj kishte marrë votat e nevojshme në raund të parë.

Por, thuhet se megjithëse me shkelje, rezultati i raundit të dytë u certifikua me vendimin e Këshillit më 29 janar 2026.

Gjithnjë sipas padisë, përmes veprimeve, KGJK-ja ia ka mohuar kadidates Memaj një të drejtë thelbësore të fituar në raundin e parë. Aty thuhet se shumica fillimisht lidhet me kuorumin e që plotësohej pasi që nga 35 gjyqtarë me të drejtë vote, ishin 34 prezent dhe që morën pjesë në votim dhe votuan sipas preferencës e jo në formë deklarative për/kundër apo abstenim.

Në padi thuhet se pas konstatimit të kuorumit, kalohet në përcaktimin e dytë dhe atë se kush shpallet fitues pas përfundimit të numërimit të votave dhe del se kandidati shpallet i zgjedhur nëse merr shumicën e votave të vlefshme, e kjo bazuar në vendimet e Kushtetueses në rastet KI/34/17 dhe KI/55/17. Gjithashtu, thuhet se nga rregullat e përgjithshme të së drejtës zgjedhore, shumica llogaritet mbi votat e vlefshme.

Prandaj, sipas padisë, konstatimi i Komisionit Zgjedhor se asnjëri nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e votave dhe se duhet të kalohet në raund të dytë, është vendim arbitrar dhe në kundërshtim me vetë rregullat që KGJK ka përcaktuar. Në rastin konkret, thuhet se Memajt i është mohuar një e drejtë substanciale e fituar nga procesi i votimit.

Ndërkaq, paditësja gjithashtu pretendon se vendimmarrja e KGJK-së që e kishte hudhur si të palejuar kundërshtimin e saj, është në kundërshtim me Kushtetutën, nenin 32- me të cilin sigurohet mjeti juridik. Sipas padisë, kalimi në raund të dytë përveç se është arbitrar, ka edhe pasoja kushtetuese duke cenuar barazinë para ligjit.

Prandaj, në padi është kërkuar që të anulohet vendimi Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me të cilin kishte certifikuar rezultatin zgjedhor me të cilin Thaqi dhe Zhitia-Ymeri u zgjodhën anëtarë të KGJK-së nga radhët e Supremes. Ka kërkuar të vërtetohet se vetë Memaj ishte fituese e garës në raundin e parë me shumicë votash, të vërtetohet se raundi i dytë u zhvillua në kundërshtim me Rregulloren dhe nuk prodhon pasoja juridike, dhe anëtarë të zgjidhen Mejreme Memaj dhe Rrustem Thaqi.

Sipas padisë, përmes kërkesës për sigurimin e kërkesëpadisë, është kërkuar pezullimi i ekzekutimit të vendimit të KGJK-së, me të cilin është certifikuar rezultatin zgjedhor me fitues Rrustem Thaqin dhe Franciska Zhitia-Ymerin. Në këtë garë ishte edhe tani paditësja.

Në kërkesë thuhet se ekzekutimi i vendimit do të shkaktonte dëm të rëndë dhe pakthyeshëm tek paditësja. Aty thuhet se paditësja Memaj ka përvojë të gjatë në sistemin gjyqësor, përfshirë funksionin e gjyqtares në Supreme, ushtrimin për një periudhë të detyrës së kryetares së kësaj Gjykate, pjesëmarrëse në Panelin për Lirim me Kusht e aktualisht nënkryetare e Supremes.

Më tej, thuhet se mosnjohja e rezultatit të votimit, megjithëse shumica e votave të vlefshme është konstatuar nga e paditura KGJK, prodhon pasoja të drejtpërdrejta në integritetin profesional, reputacionin institucional dhe ushtrimin efektiv të të drejtave kushtetuese të paditëses.

Sipas kërkesës, dëmi i shkaktuar prek jo vetëm sferën personale, por edhe vetë funksionimin e rregullt të rendit institucional, duke cenuar barazinë e gjyqtares Mejreme Memaj në qasjen ndaj funksioneve publike.

Dëmi, sipas kërkesës, në rast se nuk pezullohet vendimi i KGJK-së për certifikim do të ishte i pakthyeshëm për faktin se në mungesë të pezullimit ekziston rreziku që padia të gjykohet në themel në mes të mandatit të anëtarit që ka fituar sipas vendimit të KGJK-së.

Në kërkesë thuhet se pezullimi i vendimit nuk prek interesin publik për faktin se pikërisht zbatimi i vendimit të KGJK-së do të prodhonte pasoja të drejtpërdrejta në rendin kushtetues. Kurse, përbërja e KGJK-së, thuhet se duhet të jetë në harmoni me një proces të rregullt dhe meritokratik, prandaj është e domosdoshme ruajtja e gjendjes ekzistuese deri në vendim përfundimtar, duke u ruajtur integriteti dhe besueshmëria në vendimmarrje.

Në kërkesës është theksuar se me caktim të masës nuk pengohet rrjedha e punës insitutcionale të KGJK-së për faktin se kuorumi formohet me nëntë anëtarë prej 12 të tjerë të zgjedhur.

Gjithashtu, thuhet se kërkesa për masën e sigurisë gjen mbështetje në Ligjin për Konflitetet Administrative, që autorizon gjykatën të bëjë pezullim të vendimit kur ekziston rreziku i dëmit të rëndë dhe pariparueshëm.

Qëllimi i kërkesës, thuhet se është legjitim dhe ka synim ruajtjen e ligjshmërisë së përbërjes së Këshillit. Aty thuhet se edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese është konstatuar se vendosja e masës së sigurisë është mjet i duhur për të parandaluar krijimin e pasojave faktike.

Në fund, thuhet se bazuar në të dhënat rezulton se plotësohen dy kushtet për caktimin e masës- pezullimin e vendimit të KGJK-së dhe atë rreziku real i një dëmi të rëndë dhe se me pezullim nuk cenohet interesi publik, përkundrazi grantohet ligjshmëria.

Ndryshe, në mbledhjen e mbajtur më 29 janar 2026, Këshilli kishte hudhur si i palejuar kundërshtimin e paraqitur nga kandidatja për anëtare të KGJK-së nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj, duke u certifikuar kështu rezultati zgjedhor i mbajur në këtë gjykatë dhe atë të Apelit.

Sipas kryesuesit Albert Zogajt, gjyqtarët Rrustem Thaqi dhe Franciska Zhitia-Ymeri fillojnë mandatin si anëtarë të KGJK-së më 9 mars 2026 nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, ndërkaq gjyqtarja Afërdita Bytyqi po ashtu fillon mandatin më 9 mars 2026, për anëtare nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit,

Ndryshe, procesi votimit për anëtarë ishte mbajtur më 23 janar 2026, ku pas përfundimit të raundit të dytë të votimit për dy anëtarët e rinj nga radhët e Supremes, gjyqtari Rrustem Thaqi dhe gjyqtarja Franciska Zhitia-Ymeri u zgjodhën anëtarë të rinj, duke nisur një mandat 5-vjeçar.

Të ngjashme