Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Lutfi dhe Salih Zariqi po akuzohen për mashtrim, Gjykata ka revokuar pikën 1 dhe 2 të aktvendimit për sigurimin e provave nga Serbia.
Gjykatësi i rastit, Adnan Kamberi, tha se pas tentimit për bashkëpunim juridik dërkombëtar të Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës, Serbia nuk ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, në seancën 11 marsit 2025, Gjykata ka njoftuar palët se shteti serb nuk ka kthyer asnjë përgjigje lidhur me kërkesën e Gjykatës drejtuar Ministrisë së Drejtësisë – Departamentit për Bashkëpunim Jurdik Ndërkombëtar lidhur me ofrimin e dokumentacioneve lidhur me këtë rast.
Lidhur me këtë, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Naim Rudari, tha se vendimi i Gjykatës për të revokuar këtë aktvendim është i ngutshëm dhe pa marrë pëlqimin e palëve në procedurë dhe se kjo çështje nuk mund të vazhdojë pa u siguruar dokumentet origjinale.
Por, seanca vazhdoi me leximin e provave materiale. Fillimisht, prokurorja Rukije Shasivari propozoi administrimin e provave materiale mbi të cilat është ngritur aktakuza.
Avokati Rudari tha se dokumentet të cilat nuk kanë mundur të sigurohen përmes rrugëve juridike ndërkombëtare, pala e dëmtuar i ka në posedim, andaj edhe i propozoj Gjykatës që t’i administrojë këto prova.
Gjithashtu, Rudari propozoi që të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit kryetari i Odës së Noterëve, Shpend Haskaj.
“Përmes dëshmisë së tij do të mund të vërtetohet nëse ka vepruar drejt noterja Sevdije Krasniqi kur ka noterizuar një dokument vetëm pse pala thotë se është origjinal”, tha Rudari.
Propozimin e avokatit Rudari e kundërshtoi mbrojtësi i të akuzuarit Salih Zariqi, avokati Selman Bogiqi, me arsyetimin se nuk ka relevancë të dëgjohet Haskaj në këtë çështje penale.
Propozimin në fjalë e kundërshtoi edhe mbrojtësi i të akuzuarti Lutfi Zariqi, avokati Miftar Islami.
Më pas, gjykatësi Kamberi refuzoi propozimin për dëgjimin e kryetarit të Odës së Noterëve, Shpend Haskaj, kurse aprovoi propozimet e avokatit Rudari për leximin e provave: aktvendimin e datës 12.09.1996, procesverbalin e datës 03.08.1992 dhe procesverbalin e datës 10.12.1992.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinë, në shkurt të vitit 2022 i kishte liruar nga akuza dy të akuzuarit për mashtrim. Por, Gjykata e Apelit në shkurt të 2023-ës rastin ndaj të akuzuarve Salih dhe Lutfi Zariqi e kishte kthyer në rigjykim.
Kolegji i Apelit pas shqyrtimit të shkresave të lëndës si dhe aktgjykimit të atakuar, ka gjetur dhe ka vërtetuar se aktgjykimi i Themelores është përfshirë me shkelje esenciale, e të cilin e bëjnë kundërthënës me saktësinë e dëshmive që janë kundërthënëse në mes vete dhe me faktet ekzistuese.
Sipas aktakuzës së ngritur në shtator të vitit 2017 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Salih dhe Lutfi Zariqi akuzohen se që nga 10 shkurti 1992, dhe në vazhdimësi deri më sot, kanë zhvilluar një procedurë civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ata akuzohen se me paraqitjen e fakteve të rreme dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në bashkëkryerje dhe me marrëveshje paraprake, kanë arritur të ndryshojnë pronarin e një paluajtshmërie në ish-Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Aktakuza thotë se i pandehuri Salih Zariqi, pas përpilimit të dokumentit publik të falsifikuar, konkretisht procesverbalin e titulluar “Zapisnik o Usmenoj Raspravi”, e ka përdorur si dokument të vërtetë, në bazë të të cilit është marrë aktvendimi me numër T.nr.64/04, dhe paluajtshmëria, ngastra kadastrale nr. 2708/2, me sipërfaqe prej 47.48 ari nga ish-Kuvendi Komunal, ka kaluar në emër të të pandehurit Lutfi Zariqi.
Më pas, sipas aktakuzës, të pandehurit, përmes këtyre dokumenteve të falsifikuara, kanë nisur një procedurë kontestimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me paraqitjen e fakteve të rreme, për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, në këtë rast të dëmtuarit H.D. Kjo procedurë vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Me këto veprime, Salih dhe Lutfi Zariqi akuzohen për bashkëkryerje të veprës penale “Mashtrimi”, sipas nenit 335, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.