Ish- kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, Sahit Jashari e Ismet Haxha janë liruar nga akuza për arratisjen nga QKUK-ja me datën 22 maj 2014.
Për Gazetën Express, lajmin e ka konfirmuar avokati Artan Çerkini, mbrojtës i të akuzuarit Sami Lushtaku.
“Është liruar nga aktakuza por është dënuar për arratisjen e dytë dhe të tretë me gjobë prej 12 mijë euro në fakt gjykata e ka përdorë konstruksionin e bashkimit të veprave penale. Për këtë vepër penale e ka shqiptu gjobën, për arratisje është shpallë i pafajshëm ai dhe të gjithë të tjerët”, ka deklaruar ai.
Sipas aktakuzës, nga mëngjesi i datës 20 maj deri në mbrëmjen e 22 majit, Sami Lushtaku së bashku me Ismet Haxhën dhe Sahit Jasharin jane arratisur nga objektet e Spitalit Rajonal të Prishtinës.
Gjithnjë sipas aktakuzës Lushtaku, Jashari dhe Haxha janë fshehur në lokacion të panjohur duke u arratisur nga institucioni ku ata kanë qene në bazë të vendimit të ligjshem.
Sipas prokurorisë qëllimi i arratisjes ishte mos ekzekutimi i vendimit të gjyqtarit të EULEX-it për transferin e të akuzuarave nga Burgu i Dubravës në Burgun e Mitrovicës.