Gjykata Supreme në Spanjë ka hedhur poshtë një peticion të prokurorit të shtetit, me anë të së cilës u kërkohej autoriteteve daneze të arrestojnë ish liderin e Katalonjës, Carles Puigdemont.
Ai ka udhëtuar nga Brukseli në Kopenhagë gjatë ditës së sotme për të marrë pjesë në një debat në Universitetein e Kopenhagës.
Ky është udhëtimi i parë i Puigdemontit jashtë Brukselit, prej kur ai është arratisur për t’iu shmangur thirrjes së gjykatës në Spanjë, për rolin e tij në një ndarje të dështuar, që është udhëhequr nga qeveria e tij në tetor të vitit të kaluar.
Spanja pati nisur një fletarrest europian për arrestimin e
Puigdemontit në muajin nëntor, mirëpo më vonë e ka tërhequr atë.
Në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 21 dhjetor, partitë pro-pavarësisë kanë fituar shumicën absolute në zgjedhjet e parakohshme rajonale, duke goditur qeverinë e Madridit.
Kryeparlamentari i parlamentit të Katalonjës, Roger Torrent, më 22 janar, e ka propozuar Puigdemont, si kandidat për të udhëhequr qeverinë rajonale.
Madridi ka thënë se udhëheqja e Katalonjës nga një territor i huaj do të ishte e “paligjshme”.