Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij nga Shqipëria, Ditmir Bushatin, tha se kjo gjykatë nuk i është nevojitur fare Kosovës, por sipas tij, kjo do të bëhet.
“Kuvendi e ka votuar themelimin e Gjykatës Speciale. Një gjykatë e panevojshme për Kosovën, por kjo është dashur të formohet për ta ruajtur partneritetin ndërkombëtar. Kosova nuk ka çfarë të fshehë dhe nuk i frikohet kësaj gjykate”, ka thënë Thaçi, transmeton lajmi.net.
Edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati tha se me formimin e kësaj gjykate, nuk do të ngatërrohet koncepti i luftës për liri dhe i krimeve të luftës.
“Duhet të kemi kujdes, nuk duhet të ngatërrojmë luftën për çlirim me themelimin e kësaj gjykate”, ka thënë Bushati.
Ndërkohë, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se cilat do të ishin pasojat e mos formimit të kësaj gjykate, zv.kryeministri Thaçi tha se me një mohim të mundshëm të spektrit politik, krimet e pretenduara të luftës, do të gjykoheshin në një gjykatë të OKB-së.
“Duhet të jemi të kujdesem si spektër politik për vendimet që do t’i marrim. Nëse ne nuk e themelojmë, ajo do të formohet nga OKB dhe do të hapen tema të reja që do zgjasin 5 vjet”, ka thënë ai.