Prej vitesh DigitAlb po vijon betejën me piraterinë televizive duke u bërë promotor për gjetjen dhe ndëshkimin e operatorëve të paligjshëm në Shqipëri, Kosovë por edhe Europë e me gjerë.
Fryt i kësaj përpjekjeje shumëvjeçare të mbështetur nga DigitAlb është edhe operacioni i fundit ndërkombëtar i kryer nga “Nordic Content Protection” një organizatë anti-pirateri me qendër në Suedi, e cila në bashkëpunim me autoritetet suedeze kreu një investigim nga i cili rezultoi se Shoqëria (Advanced TV Network) kishte piratuar programet dhe kanalet e DigitAlb dhe disa platformave të tjera prestigjoze televizive ndërkombëtare.
Piratimi shtrihej në vendet Skandinave, Greqi, SHBA, Kanada. Hetimi nisi në Vitin 2016 dhe pas dy vjetësh Gjykata Suedeze provoi se ATV kishte piratuar kanalet e DigitAlb dhe disa platformave të tjera televizive prestigjoze ndëkombëtare.
(Advanced TV Network) ishte një rrjet në pronësi të një shtestasi arab dhe djalit të tij që vepronte në shtetet skandinave, ndërsa bashkë me ta në pranga ka përfunduar edhe një shqiptar që bashkëpunonte për piratimin e kanaleve të plaformës Digitalb.
Ata u shpallën fajtorë nga gjykata për 3 akuza: “Shkelje të së drejtës së autorit”, “Shkelje të Markave Tregtare” dhe “Prodhim e tregtim dekoderash falso”. Për rrjedhojë Gjykatat Suedeze vendosi që (Advanced TV Network) të kompensojë DigitAlb me 1.4 milion euro. Operacioni konsiderohet një godtje e fortë në shkallë ndëkombëtare për piraterinë televizive.
Promotori i kësaj fushate anti-pirateri për Shqipërinë dhe Kosovën, Drejtori i DigitAlb Alban Jaho thotë se fushata për gjetjen dhe kapjen e operatovë të paligjshëm televizive do të vazhdojë e do të thellohet.
Prej disa vitesh DigitAlb po bashkëpunon ngushtë me prokurorinë dhe policinë shqiptare, por edhe insitucione ndëkombëtare për gjurmimin dhe kapjen e rrjeteve pirate duke shkatërruar disa rrjete e grupe pirate në territorin shqiptar por edhe në Europë.
Edhe operacioni i fundit është fryt i kësaj fushate që tashmë ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë dhe është shtrirë edhe në vende të tjera. Digitalb ndëkohë thotë se inkurajon çdo hetim dhe ndëshkim të operatorëve ilegalë që prishin konkurrencën e ndershme dhe kërkojnë të çrregullojnë tregun për pëfitime të paligjshme.
Digitalb është investuar me të gjithë potencialin e tij, për të ndalur piraterinë dhe për të çuar para ligjit dhe kërkon që në këtë betejë të ketë edhe mbështetjen e vazhdueshme të prokurorisë dhe policisë shqiptare./ Top Channel