Gjykata Supreme dhe OSBE diskutojnë unifikimin e praktikës gjyqësore penale

Prishtinë | 29 Maj 2025 | 21:00 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Supreme e Kosovës, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka nisur një punëtori tre-ditore me fokus në unifikimin e praktikës gjyqësore në lëminë penale.

Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, në ditën e parë të kësaj punëtorie po marrin pjesë kryetari i kësaj gjykate, Fejzullah Rexhepi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, shefi i Seksionit për Ligj dhe Drejtësi i OSBE-së në Kosovë, Mark Lasser, si dhe kryetarë gjykatash e gjyqtarë nga Gjykata Supreme, Gjykata e Apelit dhe gjykatat themelore të lëmisë penale.

Në punëtori po trajtohen një sërë çështjesh që lidhen me sfidat aktuale dhe zhvillimet në të drejtën penale, me qëllim të sigurimit të qëndrueshmërisë dhe përputhshmërisë në interpretimin dhe zbatimin e ligjit.

Gjykata Supreme njofton se në kuadër të përpjekjeve për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në ditën e dytë të punëtorisë janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeprokurorë dhe prokurorë të Shtetit, të cilët do të kontribuojnë në diskutimin e temave kyçe të agjendës.

Të ngjashme