Nën kryesimin e kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, është mbajtur takimi i Komisioni Konsultativ për Politikë Ndëshkimore, me ç ‘rast janë dhënë komentet e fundit lidhur me draft-Udhëzuesin e veçantë “Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare”, të përgatitur nga Gjykata Supreme, mbështetur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe UNDP.
Kryetari Peci, i cili njëherësh është kryesues i këtij Komisioni, potencoi domosdoshmërinë e implementimit të këtij Udhëzuesi, përmes të cilit synohet të evitohen mangësitë e deritanishme lidhur me shqiptimin e dënimeve në rastet e veprave penale të korrupsionit, si dhe elaboroi në pika të shkurta draftimet e fundit që përfshijnë komentet e anëtarëve të Komisionit dhe të shoqërisë civile.
Draftimet e fundit të Udhëzuesit në mënyrë më të detajuar i prezantoi ekspertja e lartë ligjore e Ambasadës Amerikane, Benina Kusari, duke sqaruar se pas propozimit të shoqërisë civile, kanë përfshirë më shumë shembuj tek pjesa narrative, ndërkohë kanë marrë në konsiderim edhe dilemat dhe propozimet e gjyqtarëve, gjatë takimeve dhe trajnimeve të mbajtura në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë.
Me shumicë votash, drafti i Udhëzuesit u aprovua nga anëtarët e Komisionit, ndërkaq javën tjetër pritet të vendoset për votim në seancë të përgjithshme të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme.
Udhëzuesi parasheh pikënisjen specifike, rrethanat përkatëse lehtësuese dhe rënduese lidhur me veprat penale të korrupsionit, si dhe dënime të tjera alternative dhe plotësuese.
Ky Udhëzues nuk ka për qëllim të zëvendësojë Udhëzuesin e përgjithshëm të vitit 2018 apo Udhëzuesin për shqiptimin e gjobave penale te vitit 2020, por për t’i plotësuar ata duke hyrë në detaje të specifikave të veprave të kësaj natyre.