Gjykata Supreme ka përfunduar 1271 lëndë gjatë vitit 2018, nga gjithësejtë 1371 lëndë që ishin, raporton Ekonomia Online.
Sipas kryetarit të kësaj gjykate, Enver Peci, vetëm 100 lëndë rezultojnë të pakryera duke bërë që Supremja ta përmbyllë me shumë sukses vitin që lamë pas.
“Përmes këtij raporti vjetor të vitit 2018 janë prezantuar statistikat për lëndët e pranuara, atyre të kryera, seancat e përgjithshme të Gjykatës Supreme në të cilat janë dhënë një numër i vendimeve juridike dhe qarkoreve me qëllim zbatimin unik të ligjeve; procesi i emërimit të gjyqtarëve në këtë gjykatë; publikimet, me theks në publikimin e Udhëzuesit për Politikë Ndëshkimore në Kosovë; Buletinit të Gjykatës Supreme; etj”, tha Peci.
Në një konferencë për media ku u prezantua Raporti Vjetor i punës dhe Buletini i Gjykatës Supreme për vitin 2019, Peci tha se Supremja ka marrë përsipër përmirësimin e politikës ndëshkimore në Kosovë.
“Si kryetar i Gjykatës Supreme, nuk mund të jem i kënaqur vetëm me arritjet e gjykatës që përfaqësoj, pasi jam i vetëdijshëm për perceptimin e publikut ndaj gjyqësorit në përgjithësi, për numrin e lëndëve të grumbulluara në gjykatat themelore dhe zvarritjet që ndodhin për arsye objektive. Por në anën tjetër, qe nga fillimi i vitit 2018, kemi marrë përsipër të angazhohemi maksimalisht në përmirësim të politikës ndëshkimore në Kosovë, më mënyrë që të shmangim drejtësinë selektive, të sigurojmë trajtim të barabartë para ligjin për secilin qytetar dhe të ndikojmë njëkohësisht në përmirësimin e imazhit të gjyqësorit në publik”, shtoi Peci.
2018-ta sipas Pecit, shënon vitin e publikimeve të rëndësishme nga ana e Gjykatës Supreme.
“Në radhë të parë për faktin se Gjykata Supreme ka përmbyllur këtë vit me sukses të plotë duke përfunduar të gjitha lëndët me përjashtim të një numri fare simbolik që janë trashëguar në vitin 2019. Viti 2018 shënon vitin e publikimeve të rëndësishme nga ana e gjykatës sonë, të cilat jemi të bindur se do ti kontribuojnë shoqërisë në përgjithësi dhe kolegëve në gjyqësor e komunitetit të juristëve në veçanti”, pohoi Peci, raporton EO.
Kreu i Supremes tha se për herë të parë në historinë e saj, kjo gjykatë ka publikuar biografitë e ish-kryetarëve të saj, si një dëshmi të traditës gjyqësore.