Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka refuzuar si të pathemeltë kërkesëpadinë dhe kërkesën për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit, të parashtruar nga paditësi Paparaci Media Sh.p.k., lidhur me Rregulloren Nr. 05/2025 për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Sipas vendimit, Paparaci Media kishte kërkuar që të shpallen të paligjshme dhe të shfuqizohen dispozita të caktuara të kësaj rregulloreje, si dhe të ndalohet zbatimi i tyre deri në vendosjen meritore të gjykatës, por kërkesa është refuzuar në tërësi.
“Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë kërkesëpadinë dhe kërkesën për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit, parashtruar nga paditësi Paparaci Media Sh.p.k.”, thuhet në komunikatë.
Për këtë çështje të konfliktit administrativ, Gjykata Supreme ka mbajtur seancë gjyqësore më 3 shkurt 2026, me pjesëmarrjen e palëve ndërgjyqëse.
“Në seancën gjyqësore kanë marrë pjesë paditësi Vehbi Kajtazi, drejtor në Paparaci Media Sh.p.k., i përfaqësuar nga avokati Driton Muharremi, përfaqësuesja e të paditurit KPK, Saranda Sokoli Berisha, si dhe avokati Kujtim Kërveshi, përfaqësues i palës së tretë, Elza Bajrami – Kastrati”, sqaron Gjykata.
Pas shqyrtimit të çështjes dhe vlerësimit të provave, Gjykata ka konstatuar se pretendimet e paditësit nuk mund të shqyrtohen në themel, për shkak të mungesës së interesit juridik.
“Gjykata konstaton se pretendimet e paditësit nuk mund të shqyrtohen në themel, pasi nuk është provuar mjaftueshëm interesi juridik i paditësit për kontestimin e dispozitave të Rregullores Nr. 05/2025”, theksohet në vendim.
Sipas Gjykatës, aktiviteti mediatik i Paparaci Media nuk krijon automatikisht legjitimitet për kontestimin e një akti nënligjor.
“Paditësi nuk ka ofruar asnjë provë që vërteton interesin juridik, ndërsa aktiviteti i tij në fushën e transmetimit dhe publikimit të përmbajtjeve mediatike nuk krijon automatikisht këtë legjitimitet”, vlerëson Gjykata.
Gjykata Supreme ka theksuar se Rregullorja për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorë të KPK-së rregullon një procedurë të brendshme institucionale dhe nuk prodhon efekte juridike të drejtpërdrejta për paditësin si subjekt mediatik.
“Rregullorja rregullon një procedurë të brendshme institucionale dhe nuk gjeneron efekte juridike individuale ose të drejtpërdrejta ndaj paditësit”, thuhet në komunikatë.
Në vendim përmendet edhe praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila njeh rolin e mediave si “vëzhgues publik”, por pa i dhënë automatikisht legjitimitet aktiv për kontestimin e çdo akti normativ.
“Pozicioni i mediave si ‘public watchdog’ nuk krijon automatikisht legjitimitet aktiv për kontestimin e çdo akti nënligjor, përveç rasteve kur provohet se ai akt e cenon drejtpërdrejt funksionin e tyre”, rikujton Gjykata.
Gjykata Supreme ka konstatuar se Paparaci Media nuk gëzon statusin e mbajtësit të interesit kolektiv apo të interesit të gjerë publik, ashtu siç kërkohet me ligj.
“Pala paditëse nuk ka provuar interesin juridik dhe, si rrjedhojë, nuk ka legjitimitet aktiv për të kundërshtuar këtë akt normativ nënligjor”, thotë tutje vendimi i Gjykatës Supreme.