Është mbajtur seanca e përgjithshme e Gjykatës Supreme gjatë të cilës janë revokuar dy udhëzimet e miratuara në seancën e datës 25 shtator 2020.
Është revokuar udhëzimi GJ.A. 189/2020, lidhur me kompetencën e organit përmbarimor për zbatimin e vendimeve të gjykatave dhe institucioneve tjera dhe është miratuar Udhëzimi i ri, sipas të cilit, gjykata është organ kompetentë përmbarimor për të vendosur në procedurën e përmbarimit dhe për të zbatuar përmbarimin në; të gjitha çështjet nga e drejta familjare dhe nga e drejta e marrëdhënies së punës.
Po ashtu, është revokuar udhëzimi GJ.A.190/2020, lidhur me kompetencën e organit përmbarimor për zbatimin e detyrueshëm të aktvendimeve të gjykatave themelore-divizionet për kundërvajtje dhe është miratuar Udhëzimi i ri, sipas të cilit organ kompetentë përmbarues për ekzekutimin e gjobave të dhëna për kundërvajtje është gjykata që e ka dhënë gjobën (ndëshkimin).