Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka shpallur të pavlefshëm udhëzimin administrativ për arkën fiskale, të miratuar më 28 mars 2025 nga ministri në dorëheqje Hekuran Murati.
Sipas vendimit, Murati nuk ka pasur autorizim ligjor për ta nxjerrë këtë akt, pasi me certifikimin si deputet më 27 mars, i ka përfunduar mandati si ministër.
Gjykata vlerëson se ky udhëzim është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë, duke theksuar se një ministër në detyrë nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit.
Si rrjedhojë, akti është konsideruar i kundërligjshëm dhe i pavlefshëm nga dita e miratimit.
“Gjykata nuk hasë pretendime të tjera, duke konsideruar se mungesa e autorizimit zyrtar për nxjerrjen e aktit, përkatësisht mungesa e kompetencës legjitime për miratimin e aktit në fjalë nga një ministër që nuk është më në funksion të ligjshëm, është arsye e mjaftueshme për të konstatuar se akti është nxjerrë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Në përputhje me këtë, gjykata ka vlerësuar se Udhëzimi Administrativ nr. 01/2025 i miratuar më 28 mars 2025 nga ministri në detyrë Hekuran Murati, është akt administrativ normativ i kundërligjshëm dhe për këtë arsye duhet të shpallet i pavlefshëm nga data e nxjerrjes së tij, për shkak të kundërshtimit me aktet e lartëpërmendura ligjore dhe me Kushtetutën”, thuhet në vendim.