Gjykata Themelore në Gjilan redukton stafin, trajton vetëm këto raste

Prishtinë | 09 Kor 2020 | 10:52 | Nga Ekonomia Online

Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë vendim që të reduktohet numri i gjyqtarëve dhe stafit administrativ.

Kështu, bazuar në rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) dhe Planit Emergjent për Menaxhim Krizash të miratuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, kjo gjykatë njofton se është marrë vendim që të trajtohen vetëm rastet e natyrës urgjente, në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, vetëm rastet me paraburgime.

“Ndërkohë, në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil, të trajtohen vetëm rastet e natyrës urgjente, siç janë urdhërmbrojtjet dhe masat e përkohshme – masat siguruese”, thuhet në njoftimin e kësaj gjykate.

Gjykata Themelore në Gjilan njoton se zyrtarët e gjykatës do të vazhdojnë të punojnë rastet, kur është e mundur dhe e lejuar me ligj, në mënyrë elektronike.

Të ngjashme