Gjykata e Lezhës ka lënë në burg Endrit Vejsiun i cili u kap me 4 mina dhe droge në automjetin e tij dy ditë më parë në aksin rrugor Lezhë-Laç pranë kryqëzimit të Shënkollit, shkruan syri.net.
Operacioni i koduar “Telekomanda” u ndërmor të dielën e 30 shtatorit. Policia e Lezhës sqaroi atëherë se i riu nga Tirana udhëtonte me një mjet tip “Opel” në aksin rrugor Milot – Lezhë, ku u ndalua pranë kryqëzimit të Shënkollit.
Minat ishin të fshehura në gomën rezervë.
“Ato ishin të paketuara me nga dy cilindra materiali të ngurtë të mbështjellë me natriban, të dyshuara lëndë plasëse e llojit TNT. Gjithashtu u gjetën edhe rreth 3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, e paketuar gati për shitje”, sqaroi shefi i policisë së Lezhës ditën e operacionit.