Gjykatat kanë problem me luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë

Prishtinë | 12 Kor 2017 | 11:08 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet, Çohu  në bashkëpunim me organizatën Joqeveritare Komunikimi për Zhvillim Shoqëror ka prezantuar sot raportin për monitorimin një vjeçar të gjykatave në Prishtinë, Mitrovicë dhe Gjilan.

Gjatë monitorimit një vjeçar, Çohu në partneritet me CSD ka monitoruar 102 raste me 214 seanca gjyqësore në Gjykatat Themelore në Prishtinë, Gjilan dhe Mitrovicë me ç’rast janë identifikuar shkelje të ndryshme në sistemin gjyqësor në këto tri gjykata.

Genc Nimoni nga kjo organizatë tha se Gjykatat e Kosovës kanë problem me luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë, raporton Ekonomia Online.

“Nga 85 raste që kemi identifikuar 15 janë raste të profilit të lartë, prej të cilëve 2 për ish-deputetë, 5 për ish-ministra, 4 për kryetarë të komunave”, tha Nimoni.

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi  tha se janë të vetëdijshëm për të metat dhe vështirësitë procedurale.

“Të gjeturat në raport janë shumë të rëndësishme, mangësitë e të gjeturave duhet t’i shikojmë si objektiva për të ardhmen. Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet një nga sfidat kryesore të sistemit gjyqësor evropian dhe një nga kërkesat themelore për shtetin e Kosovës”, ka theksuar ai.

Përfaqësuesi i Gjykatës Supreme Enver Peci tha që raporte të tilla janë të mirëseardhura në kuptimin e përmirësimit të punës së gjykatave.

“Një prej synimeve të gjyqësorit është rritja e besimit të publikut dhe si mision është që të krijohet një mision i pavarur”, tha Peci.

Ai tha se problemi është në funksionimin e gjithëmbarshëm jo vetëm të gjyqësorit, por edhe të shoqërisë dhe institucioneve.

Të ngjashme