Avokati i Kadri Veselit në Gjykatën Speciale, Ben Emmerson, së bashku me bashkëpunëtorin e tij në çështje, Nicholas Kaufman kanë dorëzuar një shkresë tek gjyqtari i Procedurës Paraprake ku kritikojë ashpër punën e zyrës së Prokurorit të Specializuar si dhe formën e ndjekjes penale ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.
Emmerson në shkresën e tij vë në pah faktin se Specialja është duke u marrë vetëm me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si njëra ndër protagonistet e luftës së fundit në Kosovë.
Prandaj, sipas Emmerson, mund të arrihet në konkludimin se Gjykata ka një juridiksion mono-etnik, dhe nëse jo të tillë, ajo bazohet krejtësisht në përkatësinë politike.
“Do të rikujtohet se juridiksioni i DSK-së përcaktohet duke iu referuar krimeve të pretenduara të kryera ekskluzivisht nga UÇK dhe, si i tillë, DSK u krijua për t’u marrë me vetëm një nga protagonistët e konfliktit 1998/1999 në Ballkan. Është, prandaj, një fakt i pashmangshëm që juridiksioni i DSK nëse nuk është mono-etnik bazohet në përkatësinë politike. Kur parimi jo-retroaktivitet vendoset në avantazh të njërit prej protagonistëve të konfliktit por jo për tjetrin, shkelja diskriminuese e interesave të mbrojtura, ndër të tjera, nga neni 14 i KEDNJ-së nuk mund të injorohet”, thuhet në shkresën e mbrojtjes së Veselit.
Për më tepër, Emmerson thotë se ZPS po lejon që kriminelët serbë të luftës të përfitojnë nga parimi i jo-retroaktivitetit për krimet e kryera.
“Për këtë arsye, Mbrojtja priste që “shtesë-përgjigja” e ZPS-së do të kishte adresuar çështjen e lartpërmendur të diskriminimit. ZPS duhet të shpjegojë pse është e justifikueshme për vendimin e SCC të lejojë kriminelët serbë të pretenduar të luftës të përfitojnë nga parimi i jo-retroaktivitetit në sistemin e tyre kushtetues për krimet e kryera në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend me shqiptarët që do të gjykohen nën sistemin e brendshëm kushtetues të Kosovës perms KSC. Të dy sistemet e ligjit përmbajnë të njëjtat garanci, por nëse arsyetimi për vendimin e KDS-së refuzohet nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake, atëherë për të dyshuarit shqiptarë do të mohohet mbrojtja që gëzojnë homologët e tyre serbë”, thuhet në parashtresën e Emmerson, shkruan lajmi.net.
Emmerson në shkresën e tij vazhdon duke thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar në formë të qartë po lejon diskriminim mes shqiptarëve dhe serbëve, në favor të këtyre të fundit.
Sipas tij, zbatimi i parimit të “prapa-veprimit” është i domosdoshëm në një shoqëri demokratike, pasi që në të kundërtën sipas Emmerson, ka një prapavi etnike dhe politike.
“Për më tepër, dhe në interes të drejtësisë, Mbrojtja nuk do të kundërshtojë që ZPS-së t’i jepet edhe një mundësi më shumë (me të drejtën e përgjigjes së Mbrojtjes) për të adresuar se si zbatimi i ndryshëm i parimit të jo-prapaveprimit për dy popuj të veçantë të lidhur nga e njëjta Histori kushtetuese mund të konsiderohet “e domosdoshme në një shoqëri demokratike” dhe proporcionale ndërsa nuk çon në një diskriminim kaq të qartë siç përshkruhet nga Mbrojtja – qoftë etnike apo politike”, thuhet në fund të parashtresës së Emmerson.
Parashtresa në fjalë është shkruar nga dy avokatët e Veselit, Ben Emmerson si dhe Nico Kaufman.