Në mungesë të anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Ngadhnjim Arrni, i cili ishte i angazhuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ka dështuar seanca e paraparë për të hënën, në rastin ku ish-gjeodeti i Komunës së Prishtinës, Haxhi Haskaj, akuzohet për përvetësim në detyrë.
Lidhur me mungesën e gjykatësit Arrni, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi konstatoi se i njëjti është i angazhuar nga KGJK, në grup punues, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, të pranishëm nuk ishin as dëshmitarët Shaban Govori dhe Rrushe Lajqi, ku për këtë të fundit gjykatësja Bytyqi tha se në fletëkthesën nga shërbimi postar, është konstatuar se e njëjta gjendet jashtë vendit.
Kurse, të pranishëm ishin prokurorja Merrushe Llugiqi, i akuzuari Haskaj, si dhe dëshmitarët Shaqir Kqiku, Avdyl Duraku dhe Avdullah Shabani.
Andaj, në mungesë të kushteve ligjore për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor, seanca e radhës është caktuar për 14 dhjetor 2022.
Ky rast ka qenë duke u gjykuar nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, por pasi që e njëjta ka kaluar në Departamentin Special të kësaj gjykate, lënda ka kaluar te gjykatësja Medie Bytyqi.
Ndryshe, sipas aktakuzës, së ngritur më 16 dhjetor 2014, Haxhi Haskaj akuzohet se kishte marrë autorizim nga M.P., më 16 korrik 1998, për të kryer shitblerjen e një ngastre kadastrale, me sipërfaqe prej më shumë se një hektar tokë, në lagjen “Kalabria”, në Prishtinë.
Mirëpo këtë autorizim, sipas prokurorisë, Haskaj e ka përdorur edhe pas vdekjes së M.P., në mënyrë që sa ishte duke punuar në Drejtorinë për Kadastër në Komunën e Prishtinës, si gjeodet ka bërë ndarjen fizike të ngastrave për blerësit e tyre.
Haskaj, sipas aktakuzës, pretendohet se ngastrën tokësore e kishte ndarë në 18 parcela me pronarë të ndryshëm, sipas fletëve poseduese dhe nga këto 18 parcela, 8 prej tyre i kishte shitur duke përdorur autorizimin e të ndjerit, P.
Me anë të shitjes së këtyre parcelave, sipas aktakuzës, Haskaj kishte përfituar mbi 315 mijë (DM) marka gjermane, të atëhershme, të cilat para nuk ua kishte dhënë familjarëve të të ndjerit M., duke i shkaktuar dëmin e lartcekur.