Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për rastin e vrasjes në Aktash, të enjten është bërë administrimi i provave materiale, ku shikuan video-incizimet e vendit të ngjarjes, e të cilat pamje janë komentuar nga palët në procedurë në këtë seancë.
Në këtë rast, Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, akuzohen lidhur me rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Fillimisht, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Denisa Alidemaj, avokati Kadri Mjekiqi sipas gjykatëses së rastit, Fatime Dermaku ka bërë kërkesë për mbyllje të seancës për shkak të pamjeve që do të lëshohen gjatë administrimit të provave materiale.
Më pas, prokurori rastit- Bashkim Zeqaj i propozoi Gjykatës që të kufizohet incizimi i pamjeve të vendit të ngjarjes nga mediet dhe monitoruesit në sallën e gjykimit, por jo edhe të mbyllet gjykimi.
Një propozim i tillë nuk u kundërshtua nga mbrojtësit e Korab Gashit, Valdrin Ademit dhe Erd Marevcit, avokatët Kujtim Kërveshi, Driton Musliu dhe Visar Haxhibeqiri.
Ndërkaq, mbrojtësja e Robert Llumnicës, avokatja Kosovare Kelmendi tha se Gjykatës i propozon që të mos incizohet pjesa kur shihet i ndjeri, por jo edhe pamjet e tjera. Njëjtë deklaroi edhe mbrojtësi i Salih Sekiraqës, avokati Naser Sopjani.
Ndërkaq, vetë Sekiraqa tha se pamjet duhet të shihen edhe nga populli pasi që vendimi shpallet në emër të tyre.
Më pas, Gjykata mori vendim duke ndaluar publikimin e pamjeve që shihen në video-incizimet e marra nga vendi i ngjarjes.
Pas kësaj, mbrojtësit e të akuzuarve komentuan një nga një përmbajtjen e video-incizimeve që u ndaluan të publikohen nga mediat.
Paraprakisht, prokurori Zeqaj listoi të gjitha provat materiale dhe personale që janë shqyrtuar gjatë këtij gjykimi. Sipas tij, përmes tyre vërtetohen veprimet e të akuzuarve.
Prokurori Zeqaj listoi raportet policore, ato të vendit të ngjarjes, foto-albumin, si dhe raportin e masave të fshehta hetimore të përgjimit.
Më pas, seanca u ndërpre për të vazhduar ditëve në vijim.
Kujtojmë se në fillim të seancës, gjyqtarja e rastit, Fatime Dermaku iu drejtua të akuzuarit Robert Llumnica lidhur me një situatë me Dukagjin Lekajn në Burgun e Sigurisë së Lartë.
“E ke ba një telashë me Dukagjin Lekajn, zyrtarët korrektues më kanë njoftu”, tha Dermaku.
Ndryshe, në seancën fillestare më 6 maj 2026, të akuzuarit Korab Gashi, Valdrin Ademi dhe Erd Marevci u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, Vesel Bunjaku u deklarua i pafajshëm për “Armëmbajtje pa leje” dhe për “Manipulim me prova”. Kurse Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Abazi u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje të rëndë”, ndërkaq e pranuan fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”.
Ndërkaq, në seancën e 26 gushtit 2026, të akuzuarit Korab Gashi, Valdrin Ademi dhe Erd Marevci u deklaruan sërish të pafajshëm për “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Të akuzuarit Robert Llumnica, Salih Sekiraqa dhe Fatos Ajvazi u deklaruan të pafajshëm për “Vrasje të rëndë”, kurse e pranuan fajësinë për “Armëmbajtje pa leje”. Ndërkaq, fajësinë e pranoi për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Manipulim me prova” i akuzuari Vesel Bunjaku, të cilit iu veçua procedura, kurse më 28 gusht 2026, Bunjaku u dënua me 7 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.
Kujtojmë se më 21 korrik 2026, nisi gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarve Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci. Gjykimi ndaj tyre po zhvillohet në mungesë, meqenëse dy të akuzuarit deri tani janë të paarritshëm për drejtësinë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 12 shkurt 2026 kishte ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave: Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Erd Marevci, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci dhe Vesel Bunjaku, lidhur me rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator 2024 në lagjen Aktash në Prishtinë.
Sipas aktakuzës, rasti ndërlidhet me një përplasje të armatosur mes dy grupeve në lokalin “From”, ku si pasojë mbeti i vrarë Premtim Gashi, dhe disa persona të tjerë u plagosën. Të akuzuarit ngarkohen për disa vepra penale, përfshirë “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Manipulim me prova”, si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Motivi i sulmit, sipas aktakuzës, lidhet me konfliktin e mëhershëm të datës 4 mars 2024, të ndodhur mes Shkumbin Sekiraqës (djali i Salih Sekiraqës) dhe Pajtim Gashit (vëllai i tani të ndjerit Premtim), i cili e kishte përshkallëzuar konfliktin mes dy grupeve.