Gjykimi ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës nis këtë javë

Prishtinë | 11 Nën 2024 | 12:09 | Nga Ekonomia Online

Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se më 14 nëntor në orën 9.30, pritet të nisë gjykimi në çështjen e Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës.

Të tre, akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim gjatë procedurave penale, transmeton klankosova.tv.

Konkretisht, në Aktakuzë pretendohet se midis 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, të udhëzuar nga z. Shala, z. Januzi dhe z. Bahtijari u takuan secili më vete me një dëshmitar në dy raste për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para DHSK-së, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë dhe premtimit për dhuratë, apo për ndonjë formë tjetër përfitimi.

Më 14 nëntor, Kryegjykatësja do të hapë gjykimin, do të kërkojë leximin e akuzave për të akuzuarit, do t’i informojë ata mbi të drejtat dhe detyrimet dhe do t’i pyesë nëse e kanë kuptuar Aktakuzën dhe nëse dëshirojnë të konfirmojnë vetëdeklarimin e tyre të mëhershëm si të pafajshëm.

Më pas, ZPS-ja do të paraqesë deklaratën hyrëse që do të pasohet nga deklaratat hyrëse të Mbrojtjes së Januzit dhe Mbrojtjes së Shalës.

Sikurse kanë kërkuar palët përkatëse, Trupi Gjykues ka planifikuar dy orë për deklaratën hyrëse të ZPS-së, një orë për deklaratën hyrëse të Mbrojtjes së Januzit dhe 30 minuta për deklaratën hyrëse të Mbrojtjes së Shalës.

Mbrojtja e Bahtijarit do ta mbajë deklaratën hyrëse të kërkuar në një datë të mëvonshme, pasi ZPS-ja të ketë thirrur dëshmitarët dhe të ketë paraqitur provat e saj.

Ndërsa më 9 dhjetor 2024, ZPS-ja do të fillojë me paraqitjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve.

Seanca më 14 nëntor 2024 pritet të jetë publike dhe ajo mund të vazhdojë më 15 nëntor 2024 nëse kërkohet kohë shtesë.

Historiku i çështjes gjyqësore

Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u arrestuan më 5 tetor 2023 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 tetor 2023. Në paraqitjen e tyre të parë më 9 tetor 2023, si z. Januzi dhe z. Bahtijari u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e Aktakuzës.

Haxhi Shala u arrestua më 11 dhjetor 2023 në Kosovë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK- së më 12 dhjetor 2023.

Të ngjashme