Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari thotë se më e rënda ishte etiketimi si kolaboracionist

Prishtinë | 13 Sht 2023 | 14:32 | Nga Ekonomia Online

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari i 24-të në këtë çështje (me kodin 4255) ka thënë se gjëja më e keqe që mund t’i ndodhte dikujt ishe të etiketohej si kolaboracionist.

Këtë deklarim dëshmitari e kishte bërë në sesion privat, por për të cilin është pyetur në pyetjet plotësuese nga avokati Gregory Kehoe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë deklaratë, dëshmitari tha se jo vetëm për të, por për gjithë popullin ky term njihet si “term i ulët, injorant dhe nënçmues”.

Ndryshe, në sesion publik janë bërë pyetjet plotësuese nga ekipet mbrojtëse, bazuar në pyetjet e trupit gjykues, pasi që paraprakisht, në sesion privat janë bërë pyetjet e ekipit mbrojtës së Selimit dhe Krasniqit si dhe pyetjet nga ana e trupit gjykues.

Dëshmitari, duke iu përgjigjur avokati Ben Emmerson tha se është e saktë që oficerët serbë vendosnin maska kur kryenin detyra të caktuara në Kosovë.

Në anën tjetër tha se është e vërtetë që në daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), tre pjesëtarët e UÇK-së kishin vënë maska kur nderuan me tri të shtëna mësuesin e rënë.

I pyetur se nga fundi i 1997-ës e deri në qershor 1998 a ishte e zakonshme që pjesëtarët e UÇK-së të vendosnin maska kur kryenin sulme në operacione të izoluara ushtarake brenda Kosovës, dëshmitari tha se ‘‘po ishte e zakonshme, ndoshta edhe e nevojshme për ta, unë nuk kam bart’’.

Kurse, u pajtua se pas qershorit kishte ulje të përdorimit të maskave, porse shtoi se ajo ka qenë vlerësim i secilit aty për aty.

Të ngjashme