Deri më tani neni në kuadër te Kodit të Procedurës Penale për gjykime në mungesë nuk ka qenë efikas për shkak të Gjyqësorit dhe Prokurorisë. Njohësit e çështjeve juridike e vlerësojnë punën e tyre si të brishtë, raporton Ekonomia Online.
Neni aktual për gjykimin në mungesë është i hartuar sipas standardeve ndërkombëtare, kështu po konsideron Rreze Hoxha-Zhuja nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), raporton Ekonomia Online.
“Me ligjin ekzistues është lejuar që të mbahen gjykime në mungesë për krime lufte në Kosovë dhe me atë ligj është tentuar që të respektohen standardet ndërkombëtare të cilat njihen dhe pranohen edhe nga Gjykata Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut edhe nga institucionet e tjera ndërkombëtare. Ligji ekzistues kështu siç është e përcakton standardin e kërkimit të personit që është duke u hetuar së paku pesë herë në shtetin ose shtetet ku supozohet që mund të jetë, ashtu që të sigurohet prezenca e tij në procedurë. Një gjë e tillë është bërë për të tentuar të respektohet njëri ndër standardet që kërkon nga bashkësia ndërkombëtare në mënyrë që të realizohen këto gjykime”, është shprehur ajo.
Hoxha-Zhuja, në një intervistë për EO, tha se GLPS përkrah pjesën e dytë të propozimit të Ministrisë së Drejtësisë për përcaktimin e një periudhe kohore për kërkimin e personit të dyshuar.
“Me propozimin e Ministrisë së Drejtësisë është kërkuar ose të hiqet ky togfjalësh do të thotë pjesa ku kërkohet që së paku pesë herë ky person të kërkohet në shtetin ose shtetet ku supozohet të jetë, ose të përcaktohet afati brenda të cilit shteti ku kërkohet ky person duhet të kthej përgjigje ose koha brenda së cilës Prokuroria duhet të pres para se të vazhdojë me procedurë”, ka thënë ajo.
“Ne si GLPS konsiderojmë që kërkesa së paku pesë herë një person të kërkohet në këto shtet është e arsyeshme dhe si e tillë e njëjta e respekton standardin ndërkombëtar të vendosur dhe ne e përkrahim pjesën e dytë të propozimit të Ministrisë së Drejtësisë e cila thotë që të përcaktohet koha brenda së cilës do të duhej të realizohej kjo procedurë. Si GLPS konsiderojmë që për një periudhë gjashtë mujore një gjë e tillë mund të realizohet edhe brenda gjashtë muajve, është shteti i Kosovës dhe pala tjetër kanë kohë të mjaftueshme që të përgjigjen karshi kërkesave që i paraqet shteti jonë”, ka shtuar ajo.
Tutje ajo ka konsideruar se deri më tani neni për gjykime në mungesë nuk ka qenë efikas dhe kjo për shkak të mungesës së punës të Prokurorisë.
“Projektligji për gjykimet në mungesë fatkeqësisht nuk ka qenë efikas kjo për shkak se nuk është që kemi pasur ndonjë gjykim të tillë në vendin tonë, kjo është edhe për shkak të bashkëpunimit mes shteteve mirëpo ne konsiderojmë që është pikërisht edhe për mungesën e punës së prokurorisë në këtë drejtim”, është shprehur ajo.
Në anën tjetër edhe Arton Nrecaj, këshilltar ligjor ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se korniza ligjore aktuale është e strukturuar mirë, por që mungon vullneti për zbatimin e saj.
Sipas Ndrecajt akoma në Kosovë vazhdon të jetë një Gjyqësor e Prokurori e brishtë që nuk kryen punën në mënyrë profesionale.
“Korniza ligjore ekziston por ka pasur gjithmonë kërkesa që për shkak të veprave penale të krimeve të luftës sidomos ka pasur familjarë që kanë bërë ankesa për shkak se nuk po ka drejtësi për rastet e tilla. Është plotësua Kodi Penal me këta dhe është lejuar gjykimi në mungesë po fatkeqësisht deri më tani nuk kemi as edhe një rast të iniciuar nga Gjykata apo kushdo qoftë, sidomos nga Prokuroria apo nga qytetarët që të mund të kenë pretendime për personat të cilat kanë bërë vepra penale të krimeve të luftës dhe nuk asnjë proces gjyqësor të iniciuar”.
“Korniza ligjore që e kemi është e strukturuar mjaftë mirë por nuk ka vullnet që të zbatohen dispozitat apo ligji në vend. Ne gjithmonë ia hedhim fajin sistemit gjyqësor çka faktikisht edhe e ka një pjesë të konsiderueshme të fajit sepse të gjitha raportet deri më tani kanë rezultuar që kemi një gjyqësor të brishtë, një prokurori e cila nuk e kryen punën në mënyrën më profesionale të mundur”, është shprehur ai.
Gjithashtu Ndrecaj ka theksuar se sa i përket gjykimeve në mungesë për krime lufte ka pasur trajtim selektiv.
“Kemi raste kur parashkruhen vepra penale dhe kjo është e papranueshme për mua, aq më tepër kur kemi raste selektive të gjykimeve për krime lufte. Për krime lufte janë gjykuar shqiptarë, pjesëtarë të UÇK-së, ka pasur procese në Kosovë ku janë dënua grupe të caktuara janë dënua për krime lufte mirëpo në anën tjetër nuk kemi baraspeshë kur e dimë që për krime lufte ka persona me emër e mbiemër, adresë e prova të mjaftueshme që të fillohet procese për krime lufte në mungesë”, ka përfunduar Ndrecaj për EO.