Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për fajde është dëgjuar i dëmtuari Artan Shala në cilësi të dëshmitarit, i cili deklaroi se i akuzuari Arben Sheqiri i kishte dërguar në lokalin e tij tre persona për ta rrahur.
Shala tha se e kanë rrahur edhe para banesës së tij në Prishtinë, duke shtuar që për këto raste edhe e ka lajmëruar Policinë.
Këto deklarime, Shala i bëri në gjykimin ku Nexhat Hajredini, Naim Kadriu, Agron Halimi dhe Arben Sheqiri, po akuzohen për fajde, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, Shala është përgjigjur në pyetjet e prokurores Besa Limani, ku deklaroi se ka pasur dy biznese, njërin në emër të tij, kurse tjetrin në emër të gruas. Ai deklaroi se në vitin 2013 ka pasur qarkullim vjetor mbi 300 mijë euro vetëm me njërin prej bizneseve.
Kurse, tha se po në këtë vit kishte marrë para me fajde nga të akuzuarit Hajredini dhe Kadriu, kurse në vitin 2014 nga të akuzuarit Halimi dhe Sheqiri.
Për të akuzuarin Sheqiri, dëshmitari Shala tha se ai i kishte sjellë në lokalin e tij tre persona, të cilët sipas tij edhe e kishin rrahur dhe tha se ishte rrahur edhe para banesës së tij në Prishtinë, e që për këto raste theksoi se e ka lajmëruar policinë.
Tutje, ai deklaroi se nga i akuzuari Hajredini i kishte marrë 32 mijë euro, e që çdo muaj i kishte dhënë nga 4 mijë e 500 euro në emër të fajdesë, duke shtuar që këtë shumë ka vazhduar ta paguajë për rreth 12-14 muaj.
Në lidhje me shumën e gjithmbarshme që ka paguar, Shala tha se është rreth 42 – 45 mijë euro, e që sipas tij kjo është vetëm pjesa e fajdesë, kurse borxhin kryesor prej 32 mijë euro tha nuk e ka paguar kurrë.
Gjithashtu, Shala tha se i akuzuari Hajredini ia kishte marrë veturën dhe nuk ia ka kthyer derisa i ka dërguar paratë, duke shtuar se nga i njëjti ka pasur kërcënime dhe se i ka shkuar te banesa e tij çdo ditë.
Kurse, nga i akuzuari Kadriu ai tha se i kishte kërkuar 30 mijë euro, për të cilat edhe kishte bërë kontratë në emër të huasë. Ai tha se janë marrë vesh që çdo muaj t’ia paguajë atij nga 1 mijë e 300 euro në emër të fajdesë dhe në fund t’ia paguante borxhin kryesor.
Mirëpo, prokurorja Limani e ka pyetur se përse është bërë një kontratë kur nuk theksohen këto fajde, por vetëm kthimi i borxhit dhe se afati është 18 muaj.
Në lidhje me këtë, Shala tha se nuk është e shkruar në kontratë dhe se i akuzuari Kadriu ka kërkuar ta lidh atë vetëm si garancë, duke pohuar se ka qenë vetëm si arsye që t’ia sigurojë të paktën paratë e veta.
Tutje, ai tha se katër herë ka paguar nga 1 mijë e 300 euro, por që sipas tij për shkak se nuk ka mundur të vazhdojë t’i paguajë, i ishte rritur kamata në 2 mijë euro.
Po ashtu, dëshmitari ka deklaruar se borxhin kryesor nuk ia ka kthyer as të akuzuarit Kadriu, për të cilin tha se i kishte shkuar çdo ditë në banesë për t’ia kërkuar paratë, duke shtuar se i njëjti e ka të hapur rastin në polici për shkak të konflikitit.
I njëjti ka mohuar t’i ketë investuar diku paratë e marra nga i akuzuari Kadriu, duke thënë se ia ka dhënë djalit të hallës së këtij të fundit, e që sipas tij personi në fjalë është aksionar në një bankë të Kosovës.
Duke u përgjigjur në pyetjet lidhur me të akuzuarin Sheqiri, dëshmitari tha se prej tij ka marrë 11 mijë euro, të cilat i ka paguar çdo muaj nga 1 mijë euro në emër të fajdesë për 4-5 muaj.
I njëjti tha se nga i akuzuari Halimi i ka marrë 8 mijë euro dhe se ka filluar t’ia paguajë atij kamatën prej 1 mijë euro. Kurse, tha se borxhin kryesor i akuzuari Halimi e ka shitur tek dikush tjetër për 20 mijë euro, e që sipas tij ai i kishte shkuar edhe me persona tjerë për t’ia kërkuar paratë.
Dëshmitari ka pohuar se para se t’i merrte 32 mijë euro nga i akuzuari Hajredini, i kishte marrë paraprakisht 10 mijë euro nga i njëjti.
Ndërsa, tha se për këto 10 mijë euro kishte pasur fajde nga 1 mijë e 500 euro dhe se kishte paguar edhe fajdenë edhe borxhin kryesor dhe se menjëherë kishte marrë fajdenë tjetër.
I pyetur se cila shumë është e saktë, pasi që në Prokurori ka deklaruar se i ka marrë 20 mijë euro, Shala tha se nuk i kujtohet, por se sipas tij shuma prej 10 mijë euro, është 99% e saktë dhe se e ka thënë atë shumë edhe në Polici.
Në fund, mbrojtësi i të akuzuarit Hajredini, avokati Naim Rudari ka thënë se nuk i ka marrë incizimet nga biseda, duke shtuar se Prokuroria ka edhe prova shfajësuese, por që nuk i ka dorëzuar mbrojtjes.
Po ashtu, Rudari tha se Prokuroria nuk i ka propozuar si prova as në aktakuzë CD-të me incizimet e bisedave.
Ndryshe, në fillim të seancës i kanë dorëzuar me shkrim fjalët hyrëse mbrojtësit e të akuzuarve Kadriu, Halimi dhe Sheqiri, avokatët Ali Beka, Tahir Rrecaj dhe Blerim Qela, të cilët edhe i kanë elaboruar në pika të shkurta.
Avokati Beka tha se është një situatë ku sipas tij, edhe ligjvënësi kur e ka sanksionuar këtë vepër, ka vend për një rishikim.
“Për me u përmirësu kjo situtatë e mos me ardhë në situatë që njerëzit të cilët përfitojnë me vepër penale me mashtrim, mbeten të lirë dhe asnjëherë nuk kompensohet dëmi që i shkaktohet”, tha ai.
Tutje, ai tha nga elementet e veprës penale kur thotë nga gjendja e rëndë financiare, asnjë prej atyre elementeve nuk është tek pala e dëmtuar, duke shtuar se i dëmtuari ka pasur për qëllim mashtrimin, ashtu që të mos e kthejë borxhin.
Kurse, avokati Rrecaj tha se në këtë rast nuk janë asnjë nga elementet që përbën veprën penale për çka po akuzohen të mbrojturit e tyre, sepse sipas tij huazimi që e ka marrë i dëmtuari, nuk e ka marrë për shkak të gjendjes së tij, por me qëllim të zhvillimit të biznesit të tij.
Ndërsa, avokati Qela tha se nga faza fillestare e deri më tani nuk ka asnjë provë të vetme që e mbështet dyshimin e bazuar lidhur me veprën penale nga nenin 343, par 1, të KPRK-së.
Sipas tij, Prokuroria ka paraqitur si të dëmtuar një person i cili merret me biznes dhe i cili ka raste të hapura kinse i dëmtuar dhe se i njëjti duke mashtruar ka përfituar materialisht vlera marramendëse.
Në fund, ai tha se gjatë bastisjes së shtëpisë së të mbrojturit të tij, nga hetuesit e këtij rasti janë konfiskuar 4 mijë e 500 franga dhe një revole të cilat janë gjetur në dhomën e prindit të tij.
Për të njëjtat, Qela tha se kanë qenë të mbyllura me çelës dhe për këto gjësende Prokuroria për armën pa leje e ngarkon prindin e të mbrojturit të tij, duke shtuar se i njëjti ka edhe aktgjykim të plotfuqishëm.
Kurse, për paratë tha se në realitet nuk janë të të mbrojturit të tij dhe se ai nuk kishte qenë në dijeni se prindi i tij i posedonte ato para.
Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Gazmend Bahtiri, tha se meqenëse është përfundimi i orarit të punës, seanca e sotme ndërpritet, kurse të radhës e caktoi më 17 korrik 2023.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 mars 2016, Nexhmi Hajredini akuzohet se ka kontraktuar një shumë dukshëm jopropocionale të pasurisë për vete në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Arton Shala.
Këtë, thuhet e ka bërë në atë mënyrë që gjatë vitit 2013 në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë, para “Procedit Bank” i pandehuri ia ka dhënë të dëmtuarit fillimisht një shumë të hollave prej 10 mijë euro, me kamatë mujore 1 mijë e 500 euro dhe pasi i dëmtuari ia ka paguar në tërësi shumën, i ka dhënë edhe shumën prej 32 mijë euro, me kamatë mujorë prej 4 mijë e 250 euro, të cilat i dëmtuari i ka paguar për 10 muaj rresht, deri në shtator 2014 në emër të fajdesë.
I dëmtuari thuhet se ka pësuar humbje financiare në shumë prej 52 mijë euro.
Kurse, i pandehuri Naim Kadriu thuhet se i ka dhënë të dëmtuarit shumën prej 30 mijë euro, ku më 14 gusht 2013, kanë lidhur kontratë mbi huanë, ku i pandehuri Kadriu është nënshkruar si huadhënës, e i dëmtuari si huamarrës dhe në xhirollogarinë e të dëmtuarit në “Teb Bank” më 10 korrik 2013, i ka derdhur 10 mijë euro.
Kurse, thuhet se më 15 gusht, i pandehuri i ka transferuar në konton kompanisë “Auto Center” në Prishtinë, pronë e Vjosa Shalës që është bashkëshorte e të dëmtuarit shumën 20 mijë euro, mirëpo gojarisht janë marrë vesh që i dëmtuari duhet të paguajë kamatën prej 1 mijë e 200 euro, ku për katër muaj ky i fundit i ka paguar të pandehurit nga 1 mijë e 200 euro, gjithsej 4 mijë e 800 euro në emër të kamatës.
Ndërsa, i pandehuri Kadriu, sipas aktakuzës, ka kërkuar që t’i paguhen 2 mijë euro në muaj, në emër të fajdesë, përderisa nuk i kthehet borxhi në total dhe gjatë bastisjes nga ana e Policisë më 30 tetor 2015, në banesën e të pandehurit janë gjetur e sekuestruar 2 mijë e 200 euro, që konsiderohen dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale.
I akuzuari Arben Sheqiri, thuhet se gjatë muajit shkurt të vitit 2014, i ka dhënë para me fajde të dëmtuarit në shumën prej 11 mijë euro, me kamatë mujore 1 mijë euro në muaj, ku për këtë shumë, i dëmtuari ka paguar kamatën prej 3 mijë euro.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Sheqiri ka kërkuar që t’ia kthejë edhe 15 mijë euro, gjithsej 18 mijë euro, e që i bie 7 mijë euro në emër të fajdesë dhe gjatë bastisjes nga ana e Policisë janë gjetur e sekuestruar 4 mijë e 500 franga, që konsiderohen dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale.
I pandehuri Agron Halimi, në aktakuzë thuhet se gjatë muajit korrik të vitit 2014, në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, afër lokalit “Auto Center”, pronë e të dëmtuarit Arton Shala, ka kontraktuar një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë për vete në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit.
Ai thuhet se i ka dhënë të dëmtuarit para me fajde prej 8 mijë euro, për të cilat i dëmtuari Shala ka paguar dy herë kamatë mujore prej 1 mijë euro dhe borxhi ka mbetur 8 mijë euro, e pas pak ditësh i dëmtuari ka marrë edhe 1 mijë euro tjera dhe borxhi është rritur në 9 mijë euro.
Sipas aktakuzës, i pandehuri gjatë bisedës së zhvilluar mes tyre më 21 korrik 2015, në restorantin “Çypolli”, në Gllamnik, afër Podujevës i është drejtuar të dëmtuarit me fjalët “Ti i ki 9000 euro plus 11000 (kamatë) i llogarit, edhe sa vonohesh ma shumë, kështu asht marrëveshja edhe duhet me zbatue”.