Të akuzuarit për bashkim me një organizatë terroriste që mund të mos ekzistojë do të rikthehen përsëri në gjyq.
Arben Livoreka dhe Nexhat Behluli të akuzuar si pjesëmarrës të një organizate terroriste të quajtur “Harausham”, në muajin korrik do të dalin përsëri para Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Në janar të vitit të kaluar Livoreka dhe Behluli ishin gjetur fajtor dhe dënuar me 7 vjet burg, nga 3 vjet e gjysmë secili, ndërsa në muajin qershor të vitit të kaluar Gjykata e Apelit e riktheu çështjen në rigjykim.
Për këtë gjykim KALLXO.com raportoi disa herë duke gjetur se organizata të cilën prokuroria në aktakuzë e kishte emëruar si “Harausham”, mund në fakt të mos ekzistonte fare.
KALLXO.com disa herë kishte kërkuar sqarime nga prokuroria lidhur me këtë organizatë, por nuk kishte pranuar përgjigje.
Gjykata e Apelit në arsyetimin e aktgjykimit në të cilin e ktheu në rigjykim këtë rast, konstatoi se vendimi dënues i gjykatës së shkallës së parë kishte një varg shkeljesh.
“Aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale… ngase nuk janë respektuar dispozitat procedurale për pranimin e fajësisë, ndërsa në pjesën arsyetuese nuk ka të dhëna për faktet vendimtare”, thuhej në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Livoreka dhe Behluli ishin arrestuar në shtator 2014, nën dyshimin se në periudhën nëntor 2013 – korrik 2014 i ishin bashkuar një grupi militant që kontrollohej nga organizata terroriste Al-Nusra në Siri.