Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), dëshmitari i 24-të (me kodin 4255) ka thënë se disa tituj në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kishin qenë për të mbajtur moralin lartë.
Kur nga avokati Ben Emmerson tha se a ishin disa prej titujve për të dhënë ide se UÇK-ja ishte më e organizuar sesa ishte në praktikë, dëshmitari ka thënë se ‘‘një ndër detyrat ma kryesore ishte edhe ruajtja e moralit të lartë’’, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, i pyetur nëse kishte caktuar në zonën e tij shef të artilerisë, të njësisë anti-plumb por përgjegjës për mbrojtje kimike dhe biologjike, dëshmitari tha që ‘‘jo’’ dhe se nuk ka pasur pozita të shumta, përveç zëvendësit të tij, shefi të operativës, komandantë për reagime të shpejta dhe komandantë të togjeve
Avokati Emmerson filloi duke lexuar pjesë nga procesverbali i një takimi në Zonën Operative të Dukagjinit, nga i cili ishte zgjedhur Ramush Haradinaj komandat i kësaj zone më 23 qershor 1998.
Në të ishte thënë përshtypja e Haradinaj se Shtabi i Përgjithshëm nuk po jepte urdhra që po kërkonte zona dhe nuk ishte e pranishme, e që dëshmitari tha se edhe në zonën e tyre ata kanë kërkuar të njëjtën gjë, ‘‘unifikim, strukturë’’.
Tutje, avokati ka lexuar pjesë nga aktgjykimi i TPNJ-së kundër Haradinaj dhe në të njëjtën kohë duke e pyetur dëshmitarin nëse kanë qenë të njëjtat çështje edhe në zonën e tij sikurse në zonën e Dukagjinit.
Por, përgjigjet e dëshmitarit kanë qenë të shkurta dhe nuk është arritur të dëgjohet nëse i njëjti ka dhënë përgjigje po apo jo.
Pyetjet kanë qenë se a pajtohet me konstatimin se të quhet Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së si shtab i përgjithshëm në kontekstin ushtarak është çorientuese në vetvete, se gjatë vitit 1998 shtabi i përgjithshëm nuk kishte kontroll efektiv në Kosovë dhe se nuk kishte bashkërendim mes zonave dhe shtabit të përgjithshëm.
Ndërkaq, me përmbajtje të redaktuar kanë qenë përgjigjet për pjesën se mbledhja e grupeve të vogla në fshatra nuk ishte e organizuar në nivel qendror, se rojet e natës nëpër fshatra ishin vullnetarë të pa armatosur dhe nuk kishin uniforma.
Më tej, dëshmitari ka sqaruar se në fshatrat e zonës së tij ka pasur granatime të shumta dhe që ata është dashur të organizohen në kushte të vështira ashtu që në njërën anë të mendohet për sigurim të armatimit e në anën tjetër për mbrojtje të popullatës.
Tutje, avokati Emmerson ka paraqitur marrëveshjen për unifikim, pra sipas tij ristrukturimi i dy organizatave komanduese kur Qeveria Bukoshi ishte integruar në strukturën e UÇK-së.
Në këtë dokument ishte një listë e personave kur dëshmitari tha se Adem Demaçi duhet të jetë përfaqësuesi politik i UÇK-së, Bujar Bukoshi, kryeministër i institucioneve të vet-qeverisjes, Halil Bicaj, ministres i mbrojtjes, Bislim Zyrapi, shef i shtabit në atë kohë.
Ai tha se me kapacitetet e tij nuk ka mund të jetë në dijeni se kush ishte propozuar nga ana e qeverisë e kush nga ana e shtabit.
Po ashtu, dëshmitari përmendi faktin se Rexhep Selimin e kishte njohur para, gjatë dhe pas luftës, Hashim Thaçin e kishte njohur gjatë dhe pas luftës, kurse Kadri Veselin nuk e kishte njohur asnjëherë deri pas luftës kur kishte marr pozita publike.
Dëshmia e këtij dëshmitari pritet të vazhdojë edhe nesër duke u marr në pyetje nga ekipet mbrojtëse të Selimit dhe Krasniqit.
Dëshmitari thotë se pas luftës Thaçi punoi me LDK-në për të mirën e Kosovës
(Përditësuar, ora 13:20)-Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), dëshmitari i 24-të (me kodin 4255) ka pohuar se Thaçi ka punuar pas luftës krah për krah me të dhe pjesëtarë të LDK-së për të mirën e Kosovës.
Këtë e tha ai duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës të Thaçit, Gregory Kehoe, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, seanca ka qenë private dhe pyetjet lidhur me veprimtarinë e pas luftës avokati Kehoe i bëri në seancë publike.
Dëshmitari vetëm ka pohuar atë që ka thënë avokati Kehoe dhe atë se në vitet 2001-2004 Thaçi si kryetar i PDK-së u bashku me Ibrahim Rugovën – kreu i LDK-së atë kohë dhe u tërhoq, duke lënë Bajram Rexhepin të bëhej kryeministër.
Se Thaçi ishte ai që mbështetin Rugovën të bëhet President dhe se në vitet 2004-2007 ishte opozitë me PDK-në po se u pajtuar të bëhej me ekipin e Rugovës për të bërë negociata për statusin e Kosovës sa ishte gjallë Rugova, e që më pas ky grup është kryesuar nga një udhëheqës tjetër i LDK-së, Fatmir Sejdiu dhe se ka punuar me të ndonëse ishte në opozitë.
Tutje, se në vitet 2007-2010 Thaçi ka fituar zgjedhjet parlamentare dhe është bë Kryeministër por se ka ftuar LDK-në për t’iu bashkuar në koalicion për të formuar qeverinë dhe se Fatmir Sejdiu është bërë President i Kosovës.
Në vazhdim u tha se në vitet 2014-2017 fitoi zgjedhjet Thaçi dhe solli LDK-në si pjesë të koalicionit dhe se i dha pozitën e kryeministrit Isa Mustafës, ndërkohë që u bë zëvendës i Mustafës dhe se në vitin 2016, kur u zgjodh Thaçi President, LDK-ja votoi në favor të tij.
Si përfundim, dëshmitari pohoi se tërë këtë periudhë Thaçi ka punuar krah për krah me të dhe pjesëtarë të LDK-së për të mirën e Kosovës.
Seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit nga mbrojtja e Veselit, konkretisht nga avokati Ben Emmerson.
Ai i lexoi një pjesë nga deklarata e dhënë e dëshmitarit për ZPS-në dhe atë kur ishte pyetur se në periudhën e 1998-1999 a e ka njohur Kadri Veselin, ishte përgjigjur ‘‘atë se ka njoftë kurrkush’’ dhe se në pyetjen nëse gjatë konfliktit kishte dëgjua ndonjëherë për të, ishte përgjigjur ‘‘jo, asnjëherë’’.
Sipas dëshmitarit, këto përgjigje janë të sakta dhe të vërteta.
Kurse, në momentin kur avokati donte të bënte pyetje në bazë të hartës ku përfshihet zona përgjegjëse e dëshmitarit, me rekomandim edhe të prokurorit special James Pace, seanca ka kaluar në sesion privat me qëllim që të mbrohet dëshmitari.