Gjynah që je femër

Prishtinë | 20 Maj 2021 | 19:24 | Nga Blerinë Tërbunja

Mos e vesh atë fustan, se shumë i shkurtë. Edhe ky i gjati shumë bukur të rrie, por mos e vesh. As mos ngjitë parfume, sepse po e ndjell ujkun në torishtë. Ruaju mos i tërbo meshkujt, sepse kështu e ruan vetvetën. Me u ruajt do të thotë, mos me marrë frymë qysh ti don.

Rrugës ecë me krye teposhtë, e nëse ndonjëri të ngacmon me fjalë, ti shpejtoje hapin, se ti vet ki faj, ti je femër. Anipse kësaj radhe nuk je veshë bukur, ke qellue me trenerka, po shkon me ble bukë, por ti po ecë bukur, po provokon. Apo je në pushimin e gjatë me uniformë shkolle, ti po provokon se po qeshesh me shoqet. E qeshura jote është shumë joshëse.

Ti sot që paske dalë me ba vrapimin e mjesit dhe dikush pas teje vie me veturë, fajin e ki ti, sepse vrapimi tund flokët tua të mbledhuna në qafë, dhe kjo poashtu është provokim. Mos dil prej shtëpie, mos qesh, mos vrapo, mos jeto, sepse ti je femër. Në një tryezë shkencore, ti merrë fjalën, zëri yt i thellë sa dhe i njomë po e “tërbon” atë djalin në qoshe. Zëri yt ka faj.

Mos fol, se je femër. Ti mos dil natën, nëse vonohesh rrugës ke me u takue me kope qenësh të tërbuar, që do ta shkqyejnë jetën. Nëse je vonë thirre vllaun, thirre baben, me të shoqërue, me të pritë tek stacioni që mos me ta pre kush udhën.
Ti mos vozitë, ti po e çrregullon komunikacionin. Djemtë e ri po të japin përparsi, tuj të hangër me sy. E burrat pleq, burrat pleq… po të shajnë nëpër dhëmbë, po ta bajnë me sy, me dorë e me çka jo! Por, ti ki faj, ti je femër. Ti vozitë shumë mirë, me kujdes, i respekton shenjat e komunikacionit, por je shumë joshese pranë timonit.

Ti po i provokon. As sot mos shko në shkollë. Bile në orën e dytë hiq mos shko, ki me atë profesorin që ta ka ba Add në Facebook. Dhe një natë përderisa gruja e tij gërhiste në gjumë, ta ka ba Like në foton e profilit. Edhe po të shkruen komente private. Por ti je e re, je naive, nuk e dinë se profesorit plak po i “pëlqen”. Ti edhe mund të dashurohesh, se je e brishtë akoma. Ai përditë po të pyet tek tabela. Ty të rrinë bukur shumë uniforma, edhe flokë i ki të gjata, të bukura.

Ti ki faj, se je femër. Nuk është patjetër me kanë profesor, mund të jetë secili… Ti mos shko në fakultet. As mos e merrë kurrë guximin me hy në zyre të profesorit vetëm. Nëse e takon në koridor, atë profesorin, po e dinë ti cilin, ti ule kryet, dhe shpejto hapin për në klasë, bashkohu me kolegët.

E në rast se nuk arrinë të bashkohesh me kolegët dhe profesori sërish të ngacmon, atëherë ti ki faj se nuk je ngutë, e ke provoku. Nëse ki të dashur, mos gabo me qitë në profil foto tjetër pos me të. Ndryshe e ndjell ujkun në torishtë. E nëse s’ki të dashur, ti ki faj, sepse nuk ke dal, nuk ke qeshë, nuk ke jetue. Askush nuk të do. Gjynah që je femër.

Të ngjashme