Organizata FOL sot ka mbajtur një aktivitet ku u zhvillua bashkëbisedim me kryetarin e Gjykatës Supreme në Prishtinë, Enver Pecin.
Temë e këtij bashkëbisedimi ishte Integriteti i Gjyqësorit në Kosovë.
Enver Peci tha se Kosova është vend shumë i vogël dhe kjo ka ndikuar pak që gjyqtarët të mos vendosin në mënyrë të drejtë në bazë të provave dhe fakteve për shkak të vendit ku jetojmë dhe që njihen njerëzit në mes vete, raporton Ekonomia Online.
“Gjyqtari e ka garancinë të çfarëdo rasti, ai duhet të vendosë në bazë të provave dhe fakteve. Po ashtu, është e rëndësishme edhe paanshmëria, nuk duhet mbajtur anë nga ndonjë palë dhe këto parime kryesore që vlejnë për gjyqtarin varen nga qëndrueshmëria e tij se sa mund t’i bëjë ballë presioneve të ndryshme”, tha Peci.
Ai tha se Kosova ka shumë pak gjyqtarë dhe prokurorë, sipas tij, kriteret për emërimin e gjyqtarëve kanë qenë provimi i jurisprudencës, përvoja prej së paku 3 viteve eksperiencë dhe sipas kësaj kjo ka ndikuar që të kemi shumë pak gjyqtarë dhe të ketë numër të madh të rasteve të pazgjidhura nëpër gjykata dhe mospërfundimi i tyre me kohë.
“Gjyqësori përballet me sfida të ndryshme, me numër të madh të rasteve dhe me mangësi të gjyqtarëve dhe të prokurorëve dhe ato sfida janë shpjeguar historikisht, prej përfundimit të luftës qëllimisht nuk ka pasur zgjedhje adekuate të gjyqësorit”, tha Peci.
“Një gjyqtar nëse e keqpërdorë pozitën dhe vendos përkundër provave në një çështje, nuk do të thotë që e ka vendosë rastin dhe se tash ka përfunduar çdo gjë. Për këtë është legjislacioni në fuqi dhe funksionon kështu pasi që është siguri për qytetarët”, shtoi Peci.
Ai gjithashtu shtoi se gjyqtari duhet të jetë i pavarur në vendimmarrje dhe nuk varet nga askush, po ashtu ai tha se është e paligjshme nëse gjyqtari mbledhë fonde financiare nga dikush për të ndihmuar në ndonjë rast.
Akiviteti i mbajtur nga organizata FOL u mbështet nga Ambasada Holandeze në Prishtinë.