Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka njoftuar se pas bojkotit të punës nga gjyqtarët dhe punonjësit mbështetës ka nisur të enjten puna normalisht në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) është informuar se gjyqtarët dhe punonjësit mbështetës nga komuniteti serb janë duke vazhduar punën normalisht në Gjykatën Themelore të Mitrovicës”, thuhet në njoftim.
Gjyqtarët dhe stafi mbështetës s’kanë shkuar të mërkurën në gjykatë si shenjë proteste për dënimin me burgim të deputetit serb, Ivan Todosojeviq, i cili kishte bërë deklarata fyese për masakrën e Reçakut.
KGjK u ka bërë thirrje të gjithë gjyqtarëve dhe punonjësve mbështetës të sistemit gjyqësor që të angazhohen për kryerjen e detyrave të punës, të përcaktuara me Kushtetutë, Ligj dhe akte përkatëse nënligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo e kishte cilësuar si të papranueshëm bojkotin që e kanë bërë këtë të mërkurë gjyqtarët serbë dhe stafi mbështetës i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, duke mos u paraqitur në vendin e tyre të punës. Në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, ministrja Haxhiu deklaroi se për këtë situatë kishte realizuar takim këtë të mërkurë me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj.