Gjyqtarët që kanë performancë të dobët duhet larguar nga sistemi

Prishtinë | 01 Dhj 2016 | 16:10 | Nga

Gjyqtarët e Gjykatës Themelore të Ferizaj, prokurorë, avokatë, drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor dhe përfaqësues të shoqërisë civile, u takuan sot në një tryezë të rrumbullaket për të diskutuar sfidat dhe mënyra praktike për të promovuar integritetin gjyqësor dhe të identifikojë mënyrat për të ngritur besimin e publikut në sistemin gjyqësor.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Ferizajt, gjyqtarët dhe palët me interes të gjykatës, përfshirë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, shqyrtuan mënyrat për të përmirësuar transparencën, llogaridhënien, performansën dhe besueshmërinë e sistemit gjyqësor. Me këtë rast ata identifikuan hapat konkret të cilët gjykata mund të i marrë për të promovuar dhe ngritur besimin e opinionit publik në gjyqësor.

Në hapje të diskutimit, Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj z.Bashkim Hyseni, inkurajoi pjesëmarrësit që të diskutojnë dhe të ngritin çështjet që lidhen me përmirësimin e performancës së gjykatës, duke shtuar se integriteti i gjyqësorit si segment është njëri prej aspekteve më të rëndësishme për një sistem gjyqësor, llogaridhënës dhe transparent, dhe se integriteti i gjyqësorit ndërtohet në bazë të integritetit personal të gjyqtarëve, të gjitha sjelljet e gjyqtarëve qoftë në jetën publike apo private, madje edhe ato më të vogla reflektojnë dhe ndërtojnë integritetin e gjyqësorit.

Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor, shoqëria Civile por dhe pjesëmarrës të tjerë në këtë tryezë, me këtë rast kanë çmuar lartë bashkëpunimin e kryetarit të gjykatës.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e llogaridhënies dhe shtuan se gjyqtarët të cilët nuk i plotësojnë standardet e përformancës apo nuk përformojnë, duhet te largohen nga sistemi. Deri tani asnjë gjyqtar i cili nuk ka për formuar nuk është larguar nga puna.

Gjykata Themelore e Ferizajt konsiderohet si një nga gjykatat më transparente dhe të hapura, dhe kjo si rezultat i bashkëpunimit të gjykatës me organizata jo-qeveritare dhe median. Gjykata Themelore në Ferizaj, ka filluar edhe me publikimin e aktgjykimeve të formës së prerë me qëllim të përmbushjes së obligimeve ligjore për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Ndërkaq për ta përforcuar këtë Gjykata Themelore në Ferizaj që nga sot, ka hapur edhe faqen e saj në rrjetin social facebook, formë kjo moderne e komunikimit me publikun dhe informimit të tyre lidhur me punën dhe procedurat gjyqësore.

Qëllimi i Iniciativës për një Gjyqësor me Integritet është mobilizimi i gjyqtarëve për t’u angazhuar për një kulturë të llogaridhënies, integritetit, efikasitetit dhe transparencës.

Qëllimi i këtyre tryezave te organizuara nga Programi i USAID –it për Fuqizimin e Sektorit të Drejtësisë (JSSP), është të i inkurajojë diskutimet dinamike mbi çështjet kryesore se si zbatimi i parimeve të Kodit të ri të Etikës përmirëson cilësinë e shërbimit në ndarjen e drejtësisë.

Iniciativa për një Gjyqësor me Integritet u lansua muajin e kaluar nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Kryetari i Gjykatës Supreme dhe Kryesuesi i KGJK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme