Gjyqtari Hasan Kryeziu caktohet nënkryetar i Gjykatës Komerciale

Prishtinë | 29 Gus 2024 | 09:59 | Nga Ekonomia Online

Me propozim të kryetarit të Gjykatës Komerciale të Kosovës, Mahir Tutuli, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka caktuar gjyqtarin Hasan Kryeziu nënkryetar të Gjykatës Komerciale.

Gjyqtari Hasan Kryeziu është caktuar nënkryetar i Gjykatës Komerciale, me mandat të njëjtë sikurse mandati i Kryetarit të Gjykatës Komerciale.

“Në rolin e nënkryetarit, z. Kryeziu do të mbështesë kryetarin e gjykatës në përmbushjen e përgjegjësive institucionale, duke promovuar standardet më të larta të profesionalizmit dhe etikës gjyqësore”, thotë gjykata.

Në vijim gjeni biografinë e gjyqtarit Kryeziu, sipas njoftimit të kësaj gjykate.

Hasan Kryeziu është gjyqtar në Dhomat e Shkallës së Parë – Departamenti për Çështje Ekonomike në Gjykatën Komerciale. Gjyqtari Kryeziu ka diplomuar në Fakultetin Juridik – Universiteti i Prishtinës në vitin 2014. Praktikën profesionale e kreu në Gjykatën Themelore në Prishtinë deri në vitin 2015, ndërsa provimin e jurisprudencës e ka përfunduar në vitin 2016. Nga viti 2016 deri në vitin 2018, ka punuar Zyrtar Ligjor në Gjykatën Themelore në Prishtinë përmes programit të USAID-it – Checchi Consulting and Co. Nga gushti i vitit 2018 ka ushtruar pozitën e bashkëpunëtorit profesional në një avokaturë në Prishtinë, për të kaluar më pas si jurist për përfaqësime në KEDS sh.a. Hasan Kryeziu më 18.01.2021 është emëruar gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega në Malishevë, ndërsa më 23.06.2022 është emëruar gjyqtar në Gjykatën Komerciale të Kosovës.

Të ngjashme