Gjyqtari Beqir Kalludra ka dhënë arsyet pse pezulloi urdhërarrestin ndaj Albin Kurtit.
“E kam pezulluar përkohësisht urdhërarrestin ndaj Albin Kurtit me qëllimin e vetëm shmangien e tensioneve në këtë periudhë të ndjeshme”, tha Kalludra për Kallxo.com.
Më 21 prill gjyqtari Beqir Kalludra lëshoi urdhërarrest ndaj Albin Kurtit, ngase Kurti nuk u paraqit në gjykatë në procesin ku bashkë me tre ish-deputetët të “Vetëvendosjes” po akuzohet për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.
Aktakuza lidhet me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Në të njëjtën ditë kur u lëshua urdhërarrest ndaj Kurtit, Kalludra gjobiti edhe Kadri Veselin, Naser Osmanin, Armend Zemajn, Bekim Haxhiun e Xhavit Halitin, të cilët nuk u paraqitën në gjykatë si dëshmitarë.
Albin Kurti është kandidat për kryeministër i Lëvizjes “Vetëvendosje” në zgjedhjet e 11 qershorit.