Gjyqtari Marco Serra ka zbuluar se çfarë i kishte thënë Zlatan Ibrahimovici atij, pas ndeshjes Milan – Spezia dhe thotë se e vlerëson mbështetjet nga lojtarët kuqezinj pas gabimit të kushtueshëm.
Serra e anuloi një gol të vonshëm të Junior Messias në humbjen e Milanit kundër Spezias muajin e kaluar. 39-vjeçari nuk kishte lejuar përparësi të lojës, duke i dhënë pa nevojë goditje dënimi kuqezinjve buzë vijës së zonës, raporton Gazeta Express.
Ai i kishte rënë pipit një sekondë para se goditja e Messias të përfundonte në rrjetën e portës.
Sikur kjo të mos mjaftonte, Spezia i mori tri pikët e plota nga udhëtimi në Milani falë një goli të Emmanuel Gyasi në kohën shtesë.
Serra i kërkoi falje lojtarëve dhe stafit të Milanit dhe shumë lojtarë kuqezinj u menduan ta ngushëllojnë atë për gabimin pas ndeshjes.
Ai konfirmoi se disa lojtarë të Milanit kishin biseduar me të pas ndeshjes në zhveshtore.
“Calabria, si kapiten, më tha fjalë ngushëlluese. Florenzi ishte zemërthyer si unë. Ata më inkurajuan dhe të reagoja sepse të gjithë bëjnë gabime”, tha Serra.
“Edhe Ibra foli me mua dhe më tha, ‘Tani dëshmoje se je i fortë dhe reago’. Tani mezi pres të kthehem në fushë”, shtoi ai.