Mungesa e anëtares së trupit gjykues, gjyqtares Kadrije Goga-Lubishtani, u bë shkak që të shtyhet seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj Xhabir Zharkut, ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut, i akuzuar për korrupsion.
Kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi tha se gjykatësja Goga-Lubishtani ndodhet në Gjykatën e Apelit për intervistë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këto rrethana, seanca e radhës për këtë rast u caktua më 9 qershor 2022.
Ndryshe, Zharku ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2019, nën dyshimet se gjatë viteve 2008-2010, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare apo autorizimit, në kohën kur ishte kryetar i Komunës së Kaçanikut.
“I pandehuri Xh.Zh. dyshohet se në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare”, thuhej në njoftim e Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale “Detyrim” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi e në disa raste kishte marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës. Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa më 7 qershor të vitit 2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati i ekzekutimit të dënimit ndaj tij.
Sipas aktakuzës, më 23 tetor 2008 në Kaçanik, si person zyrtar– kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Dhënies Koncesioneve 02/1,-44, kishte marrë vendim me numër 7311/2008, me të cilin kishte lejuar ndërtimin e objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në ngastrën kadastrale numër 650 zona kadastrale Kaçanik, pronë e Komunës, e cila iu ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm NN “Çlirimtarët“, me seli në Kaçanik, sipas të cilës kontratë komuna do të fitonte 20%të në vijë vertikale të objekteve banesore, kurse pjesa tjetër e objektit do të ishte pronë në shfrytëzim të përhershëm të NN“Çlirimtarët“, pa i zbatuar procedurat që parashihen sipas Ligjit për Procedurën e Dhënies së Koncesioneve numër 02/1,-44, i cili ka qenë në fuqi.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” nga neni 339, par.1 lidhur me par.3 të Kodit Penal.
Sipas pikës 2 të aktakuzës, më 11 shkurt 2010 në Kaçanik, si person zyrtar– kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare.
Aktakuza thotë se në kundërshtim me nenin 14 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale numër 03/1.-040, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Komunale në Kaçanik, në çështjen civile të paditësit NTN “Bardhi“ nga Kaçaniku me pronar Bashkim Topojanin kundër të paditurës Komuna e Kaçanikut, për vërtetimin e së drejtës të shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërisë, kishte urdhëruar avokatin publik të Komunës së Kaçanikut, Fitore Krivanjeva – Daci që të mos ushtrojë ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Komunale në Kaçanik C.nr.246/09 të 29 janar 2010.
Me këtë aktgjykim, thuhet se paditësit NTN “Bardhi“ nga Kaçaniku me pronar Bashkim Topojanin, iu ka njohur e drejta e shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërisë e evidentuar si parcela kadastrale numër 650/03, me sipërfaqe 0.30,43 ha, e evidentuar në fletën poseduese numër 86 Komuna Kadastrale Kaçanik, e cila paluajtshmëri ka qenë pronë shoqërore në emër të Komunës së Kaçanikut.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” nga neni 339, par.1 lidhur me par.3 të KPRK-së.