Nga ish Drejtorët e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), askush nuk e mohon, por as nuk dëshirojnë ta komentojnë faktin se Deputeti dhe Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ishte pjestar i kësaj intelegjence.
Drejtorat kanë thënë se nuk dëshirojnë të përfshihen në këtë debat. Njëri prej tyre ka thënë se vetëm Kadri Veseli mund të përgjigjet për këtë temë.
Veç Kadri Veseli mund të flasë nëse Glauk Konjufca ishte në SHIK për një vit. Kjo është përgjigja e Fadil Demakut, njërit prej ish-zyrtarëve të Shërbimit Informativ të Kosovës, pas konstatimeve të Dardan Molliqajt se Glauk Konjufca ishte pjesë e SHIK’ut për një vit.
Molliqaj ka paralajmëruar se do t’i tregojë edhe emrat tjerë të zyrtarëve të Vetëvendosjes që ishin pjesë e Shërbimit të udhëhequr nga Kadri Veseli, aktualisht Kryetar i PDK’së.
“Vete Kadri Veselin, ai mund të tregojë”, ka thënë Demaku.
Ish-deputeti nga radhët e PDK’së ka thënë se nuk dëshiron të përfshihet në hajgaret e zyrtarëve të VV’së e PSD’së.
“Kësi hajgaresh nuk i komentoj”, ka shtuar ai.
Glauk Konjufca, aktualisht deputet i Vetëvendosjes, më herët, ka qenë pjesë e AAK’së.
Dardan Molliqaj tha se Konjufca ishte edhe në PDK. Ndërsa, tha se Shefi i deputetëve ishte për 365 ditë në SHIK.
Molliqaj nuk ka treguar se çfarë pozite ka pasur Konjufca dhe as sa është paguar për punën që ka bërë në organizatën e Kadri Veselit.
“S’di a e dini ju që Galuk Konjufca ka qenë një vit pjesë e SHIK’ut. Ai ka qenë në këtë shërbim para se të ishte pjesë e VV’së. Ti vetë Glauk ke qenë pjesë e SHIK. Dil e trego haptas që ke punuar aty”, ka thënë Molliqaj, në Kuvendin e Kosovës.
“Kur ka qenë Glauku në SHIK s’ka qenë në VV dhe unë s’e kam problem, por që s’e ka tregu se s’ka pas guximin me tregu. Mire është me kallxu një nja një që keni qenë në SHIK. Dua ta shoh edhe etikën edhe guximin edhe me pa a je gati me e pranu këtë gjë”, ka shtuar ai.
Glauk Konjufca ka kërkuar fakte nga Molliqaj për konstatimet se ishte pjesë e SHIK’ut.
“…i pranoj pretendimet e Dardanit, veç me një kusht: le të ofron fakte për shpifjet e tij”, ka deklaruar Konjufca.
Edhe një udhëheqës tjetër i ish-SHIK’ut, Fatmir Xhelili, aktualisht deputet i PDK’së, ka refuzuar të përfshihet në debatin Molliqaj-Konjufca.
“Nuk komentoj. Janë akuza të dy partive tjera. Nuk kisha dashur të komentoj”, ka thënë Xhelili.