GLPS dhe APK diskutojnë pezullimin e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion për ruajtjen e integritetit institucional

Prishtinë | 09 Dhj 2025 | 14:50 | Nga Gzim Mujaj

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) së bashku me Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) kanë organizuar tryezën e diskutimit me temë “Ruajtja e Integritetit të Administratës Publike përmes Pezullimit dhe Ndalimit të Funksioneve për Zyrtarët e Akuzuar për Korrupsion: Sfidat dhe Praktika”, ku është theksuar rëndësia e pezullimit të zyrtarëve të akuzuar për korrupsion për mbrojtjen e integritetit institucional dhe besimit të qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

Njomza Arifi, drejtore ekzekutive e GLPS-së, ka thënë se pezullimi dhe ndalimi i ushtrimit të funksionit publik për zyrtarët e akuzuar është i rëndësishëm si për sundimin e ligjit, ashtu edhe për mbrojtjen e integritetit institucional, duke shtuar se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet kornizës ligjore dhe institucionale për zbatimin e këtyre mekanizmave.

“Ne konsiderojmë se diskutimi mbi pezullimin dhe ndalimin e ushtrimit të funksionit publik për personat që janë të akuzuar për korrupsion janë të rëndësishme si për sundimin e ligjit, ashtu edhe për mbrojtjen e integritetit institucional. Vëmendje të veçanti do t’i përkushtohet edhe kornizës legjislative dhe institucionale se si rregullohet çështja e pezullimit të detyrës së zyrtarëve. Përveç pezullimit, nëse një person zyrtar dënohet për vepra që ka të bëjë me keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsionit, mbetet shumë e rëndësishme ndërmarrja e veprimeve që këta persona të largohen nga shërbimi publik ”, tha ai.

Yll Buleshkaj, drejtori i APK-së, ka theksuar se pezullimi i zyrtarëve të akuzuar ndihmon në ruajtjen e besimit të qytetarëve dhe parandalon perceptimin negativ të institucioneve që drejtohen nga zyrtarë me akuza aktive.

“Ne si agjenci, duke qenë si institucion parandalues, tema nuk është që na prek direkt. Ne e shohim më shumë nga aspekti i humbjes së besimit të qytetarëve dhe ndryshimit të perceptimit, duke pasur një perceptim negativ të qytetarëve për institucionet apo ndërmarrjet publike që drejtohen nga zyrtarë që kanë akuza të ngritura, sidomos për sa i përket korrupsionit dhe tejkalimit të kompetencave zyrtare. Është e rëndësishme që institucionet ta ruajnë besimin e qytetarëve, ta ruajnë integritetin e tyre në funksionin e përditshëm. Kjo është një kërkesë ligjore e cila ka rrjedhur së fundi me legjislacionin e ri të aprovuar. Është e rëndësishme që secili nga ne, institucionet mbikëqyrëse, ta kenë parasysh këtë dhe të vlerësojnë dëmin që i bëhet institucioneve duke mbajtur një zyrtar të lartë drejtues me aktakuzë duke drejtuar institucionin ”, tha ai.

Qëndrim Bytyqi, drejtor i Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik në MPB, ka thënë se ligji i ri për zyrtarët publik siguron pezullimin automatik të zyrtarëve që kanë aktakuzë gjatë ushtrimit të funksioneve zyrtare, duke garantuar që askush me aktakuzë aktive për vepra penale të mos qëndrojë në detyrë, pavarësisht pozicionit apo kohës së kryerjes së veprës.

“Ligji për zyrtarët publik, dispozitat që përcaktojnë pezullimin, zbatohet ndaj gjithëve zyrtarëve, edhe ndaj zyrtarëve profesionalë edhe ndaj kategorive drejtuese. Me ligjin për zyrtarët publik që ka hyrë në fuqi në shtator 2023, pezullimi nga detyra zyrtare për shkak të veprës penale ka qenë e përcaktuar me një fazë shumë më të hershme, që ka qenë momenti që është iniciuar procedurë penale për kryerjen e veprës penale. Kjo ka pasur disa probleme për zbatim në praktikë. Ne kemi ndryshuar nenin 69 të ligjit për zyrtarët publik dhe kemi paraparë që pezullimi sipas detyrës zyrtare duhet të bëhet në momentin që të ngrihet aktakuzë për kryerjen e veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve zyrtare. Ligji tash ka paraparë që kushdo që ka aktakuzë për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve, pa marrë parasysh pozitën e tij, kohën e kryerjes së veprës penale, kohën e ngritjes së aktakuzës, e rëndësishme është që dikush që ka një aktakuzë aktive për kryerje të veprës penale, sipas ligjit duhet të pezullohet prej vendi të punës. Se si merret vendimi, edhe këtu kemi pasur disa ndryshime ”, tha ai.

Ai gjithashtu shtoi se të drejtën e mbrojtjes dhe kompensimit e ruajnë zyrtarët në rast se shpallen të pafajshëm.

“Dispozita e ligjit të punës është shumë më e gjerë edhe është shumë më e qartë për shkak se ligji i punës e parasheh ndërprerjen e përkohshme të punësimit, që sipas ligjit bëhet në rastet kur ka dyshim të bazuar që dikush ka kryer vepër penale dhe që dyshimi i bazuar sipas Kodit të Procedurës Penale është faza para ngritjes së aktakuzës. Ligji i punës e parasheh se pezullimi mund të bëhet edhe në momentin para ngritjes së aktakuzës. Me ndryshimet që kemi bërë te ligji për zyrtarët publik kemi siguruar që të jetë një nivel më i avancuar i rasteve kur pezullohen zyrtarë nga aktakuzat dhe tutje pro që edhe atyre ju njihen të drejtat dhe në momentin që shpallen të pafajshëm ju kompensohet e drejta që ai ka pasur gjatë kohës ”, tha ai.

Naser Shamolli, hulumtues i lartë në GLPS, ka nxjerrë përfundimin se përgjegjësia për zbatimin e ligjit mbi pezullimin dhe largimin e zyrtarëve bie ekskluzivisht mbi institucionet publike.

“Detyrimi mbetet te të gjitha institucionet që në momentin që plotësohet fakti i shkakut ligjor të pezullimit ose largimit, duhet të marrin veprim të drejtë. Qysh i sigurojnë këto është vetëm detyrë e institucioneve publike”, tha ai.

Të ngjashme