Grupi për Studime Juridike dhe Politike, GLPS-ë ka organizuar të enjten konferencën me temën “Gjykata Kushtetuese dhe Shpërblimi i Dëmit: Një interpretim ndryshe”, raporton Ekonomia Online.
Aty u tha se kjo tryezë ka për qëllim të diskutojë mbi qasjen e Gjykatës Kushtetuese kundrejt autorizimeve në lidhje me shpërblimin e dëmit përkitazi me juridiksionin që rrjedh nga Neni 113.7 i Kushtetutës së Kosovës.
Në fillim të diskutimit, GLPS prezantoi analizën dhe qëndrimin e saj në lidhje me këtë temë, e cila kritikon qasjen interpretative të Gjykatës Kushtetuese, duke ofruar një interpretim alternativ për sa i përket kësaj të fundit. Ndonëse një qasje e tillë nuk është aplikuar, Analiza e GLPS-së argumenton se Gjykata Kushtetuese në të vërtetë gëzon autoritetin për të vendosur në lidhje me kompensimin kur kjo e fundit gjykon pretendimet e saj në kuadër të Nenit të lartpërmendur.
“Gjykata nuk është thirrur por kemi aspekte krahasuese dhe në ato vërejmë që në ato raste kur gjykatat mund të japin dëmshpërblim dëmi ky autoritet është specifikuar në mënyrë eksplicite ashtu siç argumenton Gjykata Kushtetuese ‘Unë nuk kam autorizim specifik-eksplicit prandaj dhe nuk ta akordoj dëmshpërblim’”, tha Levik Rashiti nga GLPS-ja.
Ai përmendi Rastin e Blert Morinës, duke thënë se Neni 113.7 i Gjykatës Kushtetuese bën një ndarje konceptuale jo e lehtë për t’u bërë, por që sipas tij duhet të jetë e qartë që Kushtetuesja shndërrohet në një lloj gjykate të shkallës së katërt.
“Kur kemi të bëjmë me çështje për të drejta të njeriut aty gjykata është e shkallës së katërt”, tha Rashiti.
Ndërkaq avokati Visar Morina, përmendi rastin e rasti i Diana Kastratit kundër Ministrisë së Drejtësisë, rast ky që është përcjellë me shumë vonesa në implementimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Pas vendimit qe ka dhënë Gjykata Kushtuese, iu janë dashur afër 9 vjet për realizimin e dëmit në procedurë të rregullt për traumat e fituara, gjendjen e rënduar shpirtërore. Unë mendoj që është shumë me rendësi jetike të mendohet që të rishikohet Ligji për Gjykatën Kushtetuese i cili do jepte asaj për të vendosur në kërkesa të kompensimit të dëmit”, tha ai.