GLPS-ja kritikon punën dyvjeçare të ekzekutivit, kërkon riformatim të Qeverisë

Prishtinë | 30 Mar 2023 | 12:01 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur një konferencë për media ku është folur për temën “Dy vjet qeverisje Kurti II: Cilat ishin arritjet dhe ngecjet që karakterizuan vitin e dytë?”.

Në këtë konferencë drejtoresha e GLPS-së, Arbëresha Loxha-Stublla, ka kritikuar Qeverinë për mosplotësim të pozitave e mbajtjen e tyre me ushtrues detyre.

“Konsiderojmë që viti i dytë i qeverisjes është karakterizuar me pozita me ushtrues detyre. Ky vit e ka gjetur Qeverinë me vetëm 4 sekretarë të përgjithshëm me mandat. Qeveria ka dështuar të bëjë emërimin e kandidatëve meritorë. Moskompletimi për një kohë të gjatë i pozitave, Ministria e Shëndetësisë ka qenë pa ministër e Policia e Kosovës pa drejtor”, ka theksuar Loxha-Stublla.

Ajo ka thënë se përkundër performancës së pakënaqshme në disa dikastere, riformatimi i Qeverisë nuk ka ndodhur.

“Edhe përgjatë këtij viti ka pas probleme si rezultat i bashkimit të ministrive. Përgjatë këtij viti edhe te kjo Qeveri sikurse në qeveritë e kaluara nuk kemi pasur publikimin e raporteve të punës”, ka theksuar Loxha-Stublla.

Sa i përket sistemit të drejtësisë, ajo ka thënë se vlen të përmenden operacionet e Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në veri dhe rastet si “Subvencionet” dhe “Brezovica”.

Megjithëkëtë Loxha-Stublla ka theksuar se konsiderojnë që Qeveria duhet të fokusohet në hartimin e politikbërjes në trajtimin ne rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Konsiderojmë që si Qeveria ashtu edhe institucionet e drejtësisë duhet të bëjnë përpjekje për koordinim më të mirë”, është shprehur ajo.

Sa i përket politikës së jashtme, ajo ka thënë se Kosovës i është dashur të përshtatet me realitetin gjeopolitik. Pozitiv e kanë konsideruar aplikimin në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.

“Kosova u përball me pengesa të rëndësishme në kuptim të punëve të jashtme. Ndonëse janë bërë përpjekje për të marrë njohje të reja të njëjtat nuk kanë ndodhur”, ka theksuar Loxha.

Ka përmendur edhe raportimet për përfshirjen në një skandal financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, duke thënë se nuk është mirë që ai të vazhdojë ta mbajë pozitën e ambasadorit.

Ndërsa menaxherja e programeve në GLPS, Njomza Arifi, ka thënë se një nga nismat më të rëndësishme sa i përket administratës ka qenë procedimi i Ligjit për zyrtarët publikë dhe atij për Paga. Por sipas saj ka qenë shqetësuese mospërfshirja e komenteve të SIGMA-s zyrës së Bashkimit Evropian dhe shoqërisë civile në draftimin e këtyre ligjeve.

Arifi ka thënë se Qeveria edhe gjatë vitit të dytë nuk ka arritur të shënojë progres në procesin e racionalizimit të agjencive të pavarura.

Sa i përket integrimit evropian ajo ka theksuar se edhe në vitin e dytë ai ka mbetur në suaza të kufizuara kryesisht rreth Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim (MSA).

Por GLPS-ja ka konsideruar se përmbushja e vetëm gjysmës së obligimeve të dala nga Plani i Zbatimit të MSA-së, nuk është e mjaftueshme.

Në procesin e dialogut me Serbinë, Arifi ka thënë se Qeveria ka vazhduar të jetë proaktive e poashtu edhe konstruktive.

Por sipas saj ka pasur një mungesë të dialogut me partitë opozitare.

Për Planin evropian ka theksuar se në parim nuk është ai nuk është i keq, por është i pamjaftueshëm e nuk siguron një njohje de-jure të Kosovës nga Serbia.

Sipas Arifit, Asociacioni nuk duhet të jetë pika kryesore e diskutimit.

Të ngjashme