GLPS: MPB-ja prinë me shpenzime prej mbi 15 milionë euro për kontratat e negociuara

Prishtinë | 29 Nën 2024 | 10:45 | Nga Hasan Hoti

Afër 26 milionë euro është vlera e kontratave njëburimore të Qeverisë Kurti përgjatë vitit 2023.

Kështu u tha në konferencën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) me temën “Kontratat e negociuara të Qeverisë për vitin 2023: Vlerësim i praktikave dhe efikasitetit”, raporton Ekonomia Online.

Sipas organizatave të shoqërisë civile, në krye të listës është Ministria e Punëve të Brendshme e cila ka shpenzuar një total prej 15 milionë euro, e pasuar nga Ministria e Mbrojtjes me mbi 2 milionë euro. Me buxhet të njëjtë është edhe Ministria e Shëndetësisë.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka numrin më të lartë të kontratave njëburimore, ndërsa Ministria e Financave është në vendin e dytë për numrin e madh të kontratave me procedurë të negociuar. Gjatë vitit 2023, ky dikaster ka nënshkruar gjithsej 16 kontrata përmes kësaj procedure.

GLPS në këtë konferencë ka paraqitur se vlerësimi është bërë duke u bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik (LPP), në veçanti në nenin 35, dhe për të analizuar raste konkrete të kontratave të lidhura nga disa ministri të ndryshme.

Një problem i evidentuar ka qenë edhe mungesa e dokumentacionit të plotë në dosjet e tenderëve dhe kjo ka bërë të vështirë monitorimin dhe verifikimin e korrektësisë së procedurave të ndjekura.

Ema Pula nga GLPS, tha se nga gjithsej 89 kontrata të negociuara për vitin 2023, 9 janë për furnizime, 50 për pune dhe 30 për shërbime.

“Kjo strukturë tregon se kontratat për punë janë dominuese, duke nënkuptuar një fokus te madh ne projekte infrastrukturore. Në analizën e të dhënave për vitin 2023, vërehet se katër ministri në Kosovë kanë një numër më të madh kontratash të negociuara”, tha ajo.

Pula ka theksuar se megjithatë, ka raste kur ministria nuk ka pasur zgjidhje tjetër përveçse të përdorë procedurat e negociuara si intervenimet emergjente pas djegies së Monumentit Tabhane ne Gjakove.

“MKRS-ja ka numrin më të lartë të kontratave të negociuara, që nënkupton se ka një nevojë të konsiderueshme për fleksibilitet në ndarjen e fondeve dhe burimeve. Për aktivitetin e prokurimit i realizuar për punë shtesë në Gjimnazin e Vjeter ‘Ismail Qemaili’ në Ferizaj, MKRS nuk respektoi afatin prej dy ditësh për KRPP para fillimit të procedurës së prokurimit, pasi njoftimi i KRPP u bë në të njëjtën diëe me publikimin e dosjes, gjë që përben shkelje te LPP. Megjithatë, ka raste kur ministria nuk ka pasur zgjidhje tjetër përveçse të përdor procedurat e negociuara si intervenimet emergjente pas djegies së Monumentit Tabhane në Gjakovë. MKRS ka justifikuar përdorimin e procedurës së negociuar në përputhje me nenin 35.2.1(iii) për emergjenca, duke theksuar se djegia e monumentit kërkonte veprim të menjëhershëm për të parandaluar dëmtimin e mëtejme”, tha Ema Pula nga GLPS.

Ndërs,a Ilirjana Prushi nga GLPS, tha se MPB-ja është ministria me vlerën më të madhe të shpenzuar me mbi 15 milionë euro për kontratat e negociuara.

“Përgjatë vitit 2023, MPB ka realizuar 6 aktivitete të prokurimit publik, përmes procedurave të negociuara. MPB është ministria me vlerën më të madhe të shpenzuar me mbi 15 milionë euro për kontratat e negociuara që përfshijnë furnizime për institucionet shtetërore, si licencat për softuere dhe furnizime emergjentë për targa automjetesh. Këto kontrata janë marrë si masa emergjente për të siguruar qasje ne shërbimet dhe furnizimet e nevojshme. MPB i ka arsyetuar këto procedura me baze ligjore, sipas nenit 35.2.1 të LPP-së, që përfshin rastet e emergjencave teknike dhe kërkesat për të drejta ekskluzive”, tha ajo.

Prushi tha se megjithatë, te furnizimi me targa, emergjenca do të mund të trajtohej ndryshe, ku MPB-ja do të mundësonte përdorimin e targave të përdorura ose atyre të përkohshme.

“MM- Justifikimi për këto kontrata ishte i lidhur ngushtë me sigurinë kombëtare dhe emergjencat teknike. Megjithëse në disa raste ka një tendence për të përdorur procedurat e negociuara në situata emergjente, shpesh si rezultat i dështimeve të mëparshme në proceset e hapura apo neglizhencës. Këtë gjë e ilustrojnë dy raste: Shërbimi me ushqim ne kuzhinat e FSK-së dhe Furnizim me pjesë ndërrimi dhe mirëmbajtja e automjeteve dhe mjeteve xheniere për nevojat e FSK-së”, tha ajo.

Të dhënat e përdorura në këtë analize u theksua se kanë pasur si burime informatat e publikuara në platformën e-prokurimi si dhe kërkesat për qasje ne dokumente publike drejtuar Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik dhe ministrive.

Në këtë analizë, siç u tha në konferencë nuk janë përfshirë  Zyra e Kryeministrit (ZKM), Ministria e Administrimit te Pushtetit Lokal (MAPL), Ministria për Komunitete dhe Kthim (MKK) dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR) të cilat nuk kanë pasur kontrata te këtij lloji në vitin 2023.

Të ngjashme