GLPS: Projektligji aktual Fondin Sovran rrezikon seriozisht ekonominë e tregut në Kosovë

Prishtinë | 30 Nën 2023 | 09:47 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) reagon në lidhje me synimin për të votuar në lexim të dytë Projektligjin për Fondin Sovran dhe rrjedhimisht për ta shndërruar atë në ligj – për të cilën iniciativë kemi publikuar edhe një hulumtim. GLPS është thellësisht e shqetësuar me pjesë të caktuara të përmbajtjes së këtij Projektligji dhe mënyrës se si është konceptuar Fondi Sovran në përgjithësi. Këto të fundit, karakterizohen nga një shpërfillje flagrante për themelet e ekonomisë së tregut, kjo e fundit e sanksionuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.  

Që të jetë e qartë, GLPS nuk kundërshton idenë e një Fondi Sovran a priori, por kundërshton autorizimet aktuale të Fondit Sovran që të bëj investime në kompanitë private (të brendshme) ku shteti bëhet pjesëmarrës në ekonomi, dhe kështu i vie fundi ekonomisë së tregut. Ne tërheqim këtë paralele në mes të Shtetit dhe Fondit Sovran, sepse kjo e fundit është alter ego e të parës.

GLPS thekson se do të ishte e gabuar të thuhet se tek ne kemi ekonomi të lirë të tregut që lulëzon, dhe se atë po e rrezikon ky Projektligj. Përkundrazi. Por, eksploatimi i kësaj gjendje përmes Fondit Sovran – ndër të tjera – si shoqëri aksionare që investon në kompani të brendshme private dhe komplementohet nga skema e sipërmarrjeve kapmionë, është e destinuar të vë vulën e fundit mbi tregun e lirë, edhe ashtu fragjil në Kosovë

Andaj, GLPS apelon tek deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos e votojnë këtë Projektligj, i cili është e domosdoshme që në disa pjesë të ndryshohet, në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën tonë, dhe parimet e tregut të lirë.

Të ngjashme